Osmani nga Turqia, kërkon liberalizim të vizave për kosovarët

2 min read

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke qëndruar në Turqi ku po merr pjesë në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

Përmes një shkrimi në llogarinë e saj zyrtare në “Facebook” e para e Kosovës ka thënë se gjatë fjalimit të saj u ka bërë thirrje vendeve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë.

“Ndër të tjera, kam theksuar se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por edhe i mundur, nëse mbështetet në njohjen dhe respektimin e njëri-tjetrit. Prandaj u bëra edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotni sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara”, ka thënë Osmani duke theksuar se përkushtimi ynë ndaj integrimeve duhet të njihet nga Bashkimi Evropian.

Osmani në Turqi gjatë samitit ka kërkuar liberalizim të vizave për kosovarët.

“Sic po lëvizim ne me shpejtësi drejt integrimit të vendit tonë, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e parashtruara ndaj nesh, edhe Bashkimi Europian duhet ta vlerësojë angazhimin e qytetarëve të Kosovës dhe ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave”, ka thënë tutje ajo.

Sot fillon Antalya Diplomatic Forum, ku së bashku me Presidentë, Kryeministra e Ministra nga shumë vende të botës sipas Osmanit do të diskutohet një sërë temash, nga sfidat e pandemisë e deri te sfidat e qeverisjes globale./21Media