Osmani ngushëllon familjen dhe artistët për ndarjen nga jeta të Shemit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit, vokalistit emblematik të grupit legjendar “Ilirët” dhe njërit prej zërave më përfaqësues të rock-skenës kosovare të viteve ’80.
Përmes një mesazhi ngushëllimi, Osmani ka theksuar se me pikëllim të thellë është pranuar lajmi për vdekjen e artistit, duke nënvizuar kontributin e jashtëzakonshëm që Shemi ka dhënë në muzikën shqiptare.
Ajo ka veçuar këngën “Xhamadani vija vija” si një kujtim të fuqishëm dhe simbolik, e cila vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet kombëtar, ashtu siç bëri zëri i tij ndër dekada.
“Presidentja Osmani ngushëllon familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit. Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit, vokalistit emblematik të grupit legjendar “Ilirët”, njërit prej zërave më përfaqësues të rock-skenës kosovare të viteve ’80. “Xhamadani vija vija” mbetet një kujtim i fuqishëm dhe simbolik, që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet, ashtu siç bëri zëri i Shemit ndër dekada. Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik. Për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dy vjet më parë, Shemin dhe grupin “Ilirët”, i vlerësuam me Medaljen Pesidenciale të Meritave. Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë gjatë përmes muzikës që na la trashëgimi. I përhershëm qoftë kujtimi për Shemsi Krasiqin- Shemin!”, thuhet në mesazhin e Presidentes.