Osmani: Një natë në mes të yjeve të Kosovës sonë të dashur!

 
Filmi kosovar “Zgjoi” po jepet gjatë këtyre ditëve premierë në kinematë në ShBA dhe ka arritur tashmë në Washington DC për komunitetin shqiptar atje, por edhe për audiencën globale.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila mori pjesë në premierën e filmit atje, e ka cilësuar natën e mbrëmshme si të mbushur me madhështi, talent, hijeshi e krenari.
Osmani, ka ndarë në Facebook disa fotografi ku shihet krah yllit botëror Dua Lipës, aktores Yllka Gashi, regjisores Blerta Basholli dhe Fahrije Hotit.

“Një natë në mes të yjeve të Kosovës sonë të dashur! Sa shumë madhështi, talent, hijeshi e krenari me një vend. Kënaqësi e veçantë t’i bashkojmë forcat me Duan tonë për të përçuar në çdo cep të botës fjalën për suksesin e mesazhin human që përcjellë filmi i jashtëzakonshëm ‘Zgjoi’, i Blerta Bashollit i interpretuar me mjeshtëri nga Yllka Gashi dhe kasta e supertalentuar e aktorëve tanë”, ka shkruar Osmani.


Filmi “Zgjoi” me regji nga Blerta Basholli, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë./21Media

Back to top button