Osmani për masakrën e Abrisë së Epërme: Ekzekutorët duhet të dalin para drejtësisë

Presidentja, Vjosa Osmani, sot në 23 vjetorin e masakrës, ka kujtuar martirët dhe dëshmorët e Abrisë së Epërme.
Sipas Osmanit, masakra ndaj familjes Deliu është dëshmi e egërsisë së forcave gjenocidale serbe, së cilës ende nuk i ka dhënë përgjigje drejtësia.
”Më 25 shtator 1998, Familja Deliu ishte strehuar në mal, duke kërkuar shpëtimin nga barbaria e forcave gjenocidale të regjimit të Serbisë.
Një ditë më pas, më 26 shtator 1998, 23 anëtarë të familjes Deliu nga mosha 2-vjeçe e deri në moshën 94-vjeç u masakruan po në këtë vend.
Sot i kujtojmë me dhimbje të gjithë ata fëmijë, pleq, gra e të rinj, të cilët u qëlluan nga afër vetëm pse ishin shqiptarë.
Sot i kujtojmë edhe dëshmorët: Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë dhe janë dëshmi e sakrificës për liri”, ka shkruar Osmani në ”Facebook”.
Presidentja ka theksuar se planifikuesit dhe ekzekutorët duhet të dalin para drejtësisë si një parakusht që aktet e tilla barbare të mos përsëriten në asnjë cep të botës.
”Përpjekja jonë nuk do të ndalojë asnjëherë që ata të cilët e kryen këtë akt mizor, të dalin para drejtësisë. Këtë ua kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre”, ka shkruar tutje Osmani.
Ndryshe, sot janë bërë 23 vjet nga masakra e Abrisë së Epërme. Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kanë kryer një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë. Në atë ditë janë masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç./21Media

Back to top button