Sekretari i NATO-s bisedoi me Kurtin e Vuçiqin
Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg sot ka bërë të ditur se ka biseduar për situatën në Veri me Kryeministrin, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas Stoltenberg Prishtina dhe Beogradi duhet t’i kthehen dialogut.
”Bisedova me Aleksandar Vuçiqin dhe Albin Kurtin për nevojën e deeskalimit të situatës në veri të Kosovës. Është jetike që edhe Beogradi edhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i KFOR -it mbetet të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Avionë luftarakë të ushtrisë serbe janë parë këtë të shtunë duke fluturuar në afërsi të pikë kalimit kufitar në Jarinjë, derisa edhe sot është raportuar se kanë fluturuar aeroplanë të Serbisë në afërsi të kësaj pike kufitare.
Dje rreth orës 01:00 pas mesnate është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan, ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës të hënën (20 shtator) e ka vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë. Veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?