Osmani për sulmin në Banjskë: Serbisë nuk i janë shqiptuar masa nga ana e BE-së

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet për akte agresioni ndaj Kosovës.

“Natyrshëm për t’i parandaluar këto sulme në të ardhmen ne kemi nevojë për përkrahjen e Gjermanisë sikurse edhe aleatëve të tjere euroatlantikë. Sulmi dhe agresioni i 24 shtatorit ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por në tërë Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.

Osmani tutje theksoi se hetimet zyrtare konfirmojnë se prapa këtij sulmi terrorist dhe këtij akti gresioni kundër Republikës sonë qëndron Serbia dhe institucionet e saj, nga organizimi tek furnizimi me armatim e pajisje deri tek financimi dhe trajnimi i terroristëve në Banjskë dhe bazat e tyre ushtarake.

Në vend se Serbia t’i ekstradojë terroristët vazhdon t’i inkurajojë ata për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin dhe për fat të keq Serbisë nuk i janë shqiptuar masa nga ana e Bashkimit Evropian”, tha Osmani./21Media


Osmani: Kosova u dëshmua si partnere e Gjermanisë

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova është dëshmuar si partnere e Gjermanisë dhe e vendeve të NATO-s, duke shtuar se anëtarësimi në këtë aleancë do të ndikonte pozitivisht edhe në sigurinë e rajonit.

“Që nga qershori i vitit 1999 Gjermania vazhdon të ketë rol kyq në ofrimin e sigurisë përmes pranisë ushtarake në kuadër të KFOR-it. Vendimi për rritjen e trupave ushtarake nga ana e Gjermanisë është një reflektim i qartë i mbështetjes për popullin tonë por njëkohësisht i mbështetjes për përpjekjet tona të përbashkëta për paqe stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë. Bashkë me ministrin diskutuam çështje me interest të ndërsjellë me theks të veçant se si shtetet tona mund të avancojnë edhe më shumë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Bashkëpunimi ynë ushtarak është dinamik dhe në zhvillim të vazhdueshëm duke përfshirë kontributin e çmuar dhe përkushtimin e Gjermanisë në mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar që krah aleatëve të saj të vazhdojë të ndërtojë ushtrinë e saj me standardet më të larta të NATO-së, në një forcë moderne dhe gjithëpërfshirësë dhe të fuqishme e cila është e gatshme të mbrojë shtetin, poashtu të vazhdojë të kontribojë në misione paqruajtëse nëpër botë./21Media


Osmani pret në takim ministrin e Mbrojtjes së Gjermanisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius.

Pas takimit Osmani dhe Pistorius do të mbajnë konferencë të përbashkët për medie.

Ministri gjerman do të pritet në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti si dhe homologu i tij nga Kosova, Ejup Maqedonci.


​Ministri gjerman i Mbrojtjes sot në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, të hënën viziton Kosovën, ku do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.

Pistorius gjatë kësaj vizite do të jetë i shoqëruar nga deputetët të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Takimi me të parën e shtetit tonë do të mbahet në Presidencë duke filluar nga ora 11:00, pas të cilit do të mbahet edhe një konferencë për media. Ndërsa takimi me Kurtin do të mbahet duke filluar nga ora 12:30.

Ministri gjerman në Ministrinë e Mbrojtjes do të pritet me ceremoni zyrtare, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, nga ora 13:30.

Pas ceremonisë ushtarake, të dy ministrat e mbrojtjes dhe delegacionet përkatëse do të mbajnë takim bilateral.

Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, agjenda ditore do të vazhdojë në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit (QNKTSH), në Pomozatin, duke filluar nga ora 15:00.

Me këtë rast, të dy ministrat e mbrojtjes do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të kësaj Qendre.

Back to top button