Osmani për targat: Besoj në një zgjidhje përpara, që respekton afatin dhe mbron serbët
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur besimin e saj në zgjidhjen e çështjes së targave e cila sipas saj respekton afatin e përcaktuar dhe njëkohësisht, siç tha, mbron serbët e Kosovës nga kërcënimet e vazhdueshme. Osmani, që foli nga Aeroporti i Prishtinës, tha se çështja e targave është çështje e sundimit të ligjit dhe bëri thirrje për një zgjidhje të përbashkët me faktorin ndërkombëtar.
Osmani ripërsëriti qëndrimin e saj se beson në një zgjidhje për çështjen e targave në partneritet me bashkësinë ndërkombëare, por tha se zgjidhja do të gjendet me respektimin e afatit të Qeverisë dhe mbrojtjen e serbëve të Kosovës. Osmani, gjatë një aktiviteti në afërsi të Aerportit të Kosovës, tha se Kosovës i duhet një zgjidhje e përbashkët, kushtetuese dhe ligjore.
“Ne duhet të ulemi të gjejmë një zgjidhje të përbashkët ku edhe respektohen obligimet ligjore, e kushtetuese që i kemi ne si institucione e në anën tjetër gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, ndihen të mbrojtur, të informuar dhe po ashtu i mbrojmë ata nga kërcënimet e vazhdueshme që po ua bëjnë bandat kriminale serbe. Dhe besoj që do të gjendet një zgjidhje përpara e cila edhe e respekton afatin edhe i mbron serbët nga këto kërcënime të vazhdueshme që po i kemi”, ka shtuar Osmani.
Një kërkesë për institucionet e Kosovës nga diplomatë perdëndimorë për shtyrjen e afatit për targat, edhe për dhjetë muaj të tjerë nuk është mirëpritur nga zyrtarët Kosovarë. Presidentja Osmani, përjashtoi mundësinë që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Institucioneve të Kosovës, duke i cilësuar kërkesat e diplomatëve të huaj si sugjerim me qëllimin më të mirë të mundshëm.
“Dhe natyrisht që sikurse ne si liderë institucional të Kosovës, ashtu edhe miqtë tanë, qëllimin e kemi që të ruhet paqja dhe stabiliteti në Kosovë e përtej. Kurse sa i përket qëndrimit tim rreth targave e kam thënë para tri-katër ditësh, është i njëjti. Kjo është çështje e sundimit të ligjit dhe në koordinim me partnerët tanë do ta gjejmë një zgjidhje, ku qytetarët serbë nuk do të ndihen as të kërcënuar, as të frikësuar, sepse qëllimi është i mirë për ta. Natyrisht, bashkërisht t’i vazhdojmë përpjekjet tona për sundim të ligjit dhe për luftim të bandave kriminale, të cilat po djegin shtëpi, po djegin makina e të tjera”, tha Osmani.
Cështja e targave është shndërruar në çështjen më të ndjeshme në javët e fundit dhe një numër diplomatësh ndërkombëtarë janë përfshirë në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje./21Media