Osmani: Po tentojnë t’i keqpërdorin masat e BE-së për ta kushtëzuar Kosovën për Asociacionin

(Lajm i përditësuar)


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se masat që BE-ja ia pati vënë Kosovës po përdoren si kushtëzim për krijimin e Asociacionit.

Sipas saj, kushtëzimi i tillë do të ketë vetëm efekt negativ.

“Masat duhet të hiqen moti, në fakt s’do duhej të vendoseshin kurrë sepse përkundër mospajtimeve mes Qeverisë dhe partnerëve të BE-së sa i përket 26 majit, Kosova ka vepruar në territorin e saj. Ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për ta kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja që janë vendosur në fillim. Një qasje të tillë e kam kundërshtuar edhe në samitin BE-Ballkan Perëndimor më 13 dhjetor sepse kjo logjika sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje dialogu do të ketë vetëm efekt negativ”, ka thënë ajo.


Osmani: Vetëm anëtarësimi në NATO i shteteve të Ballkanit mund të sjell paqe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me homologun e saj bullgar, deklaroi se ky shtet ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shtet-ndërtimin e Kosovës.

Sipas saj, vetëm anëtarësimi në NATO i të gjitha shteteve të Ballkanit mund të sjell paqe në rajon, duke shtuar se çdo veprim tjetër u jep hapësirë keqdashësve për ta destabilizuar rajonin dhe botën.

“Bullgaria ka dhënë kontribut në çdo etapë në shtet-ndërtimin e Kosovës, si pjesëmarrje në KFOR, me njohje të shtetit të Kosovës e kështu më radhë dhe në fund me përkrahje duke votuar pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Vetëm anëtarësimi në NATO i gjithë shteteve të Ballkanit mund të sjell paqe në tërë rajonin tonë”, u shpreh Osmani gjatë konferencës për media.


Osmani me ceremoni shtetërore pret homologun bullgar

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka pritur me ceremoni shtetërore homologun bullgar, Rumen Radev.

Pas takimit, ata do të mbajnë një konferencë për media.


Presidenti i Bullgarisë sot qëndron në Kosovë, takon krerët shtetërorë

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, sot dhe nesër (22 dhe 23 dhjetor) do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.

Ai me këtë rast do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani me ceremoni shtetërore, në orën 10:00, në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Presidentët Osmani dhe Radev do të mbajnë edhe një konferencë për media.

Ndërsa takim është paralajmëruar edhe me kryeministrin Albin Kurti. Sipas njoftimit, Radev do të pritet nga Kurti në ora 12:00.

Back to top button