Sveçla: Anëtarësimi në Interpol s’po ndodh për shkaqe politike

(Lajm i përditësuar)


Në nder të shënimit të 24-vjetorit të Policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka theksuar se tashmë ky institucion është me besueshmërinë më të madhe në shoqëri, falë punës së suksesshme të zyrtarëve policorë. Ndërsa, ai tha se anëtarësimi në Interpol nuk po ndodhë për shkak të pengesave politike.

Në aktivitetin e sotëm të PK-së, ministri Sveçla tha se nga puna e madhe e Policisë së Kosovës, edhe numri i rasteve të pazbardhura është minimal. Ai shtoi se është mirë që PK pas një kohe të gjatë është jashtëzakonisht e suksesshme në pjesën veriore të vendit.

“Sa i takon aftësive së PK-së patjetër që jo vetëm se PK do të ishte pjesë e Interpolit, por do të ishte një ndër policitë më të mira në Interpol, ashtu siç është policia më e mirë në rajon. Është çështje e pengesave politike, për të cilat të gjithë jemi dëshmitarë. Jam i bindur se me një mobilizim të duhur të të gjithë akterëve në këtë fushë do të arrijmë edhe këtë sukses, ashtu siç edhe u bëmë pjesë apo dërguam përfaqësuesin tonë në Europol”, tha ai.

Sa i përket sasisë që është sekuestruar me armë gjatë ditës së djeshme në veri të vendit, ministri Sveçla, tha se janë duke punuar në këtë drejtim, dhe shumë shpejtë secili do të jap llogari për krimet që ka bërë.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi bënë hetime lidhur me këto raste, dhe jo vetëm. Për rastin e fundit ju përgjigjen institucionet përkatëse. Është mirë që PK pas një kohe të gjatë është jashtëzakonisht e suksesshme në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo tashmë është evidente. Unë jam i bindur se puna e PK-së nuk do të ndalet me kaq, është falë edhe profesionalizimit të njësive që vizituam, numri i rasteve të pazbuluara është minimal, përfshirë edhe atë pjesë të Republikës sonë, jam i bindur se shumë shpejt secili do të jap llogari për krimet që ka bërë”, vijoi Sveçla.

Derisa ka uruar gjithë zyrtarët policorë në këtë ditë, ai tha se do të bëjnë përpjekje që Policia të ketë mbështetje më të madhe nga Qeveria.

“Tashmë Policia e Kosovës është institucioni me besueshmërinë më të madhe në shoqërinë tonë, kjo edhe nuk është e rastësishme falë punës së jashtëzakonshme të çdo zyrtari policor, falë përgatitjes tyre profesionale dhe pajisjeve të cilat ata me profesionalizëm i përdorin në të mirë të qytetarit, në përforcim të rendit dhe ligjit, gjithmonë duke pasur në fokus barazinë e qytetarëve. Shfrytëzoj rastin të uroj ditën e tyre, ditën tonë për shkak se PK është pjesë e pandashme e gjithë shoqërisë sonë”, tha Sveçla.

Ndërkaq, duke folur për kushtet e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe mos pagesën për rrezikshmëri, Sveçla tha se po bëjnë përpjekjet e duhura që ky institucion të ketë mbështetjen e duhur në këtë drejtim nga Qeveria e Kosovës.

“Policia e Kosovës është një institucion themelor i gjithë shoqërisë dhe shtetit. Ne jemi duke bërë të gjitha përpjekjet që jo vetëm Policia e Kosovës të ketë mbështetjen e duhur, qoftë nga Qeveria dhe institucionet tjera. Ka përmirësime dhe po shihen, në pajisje, në mjete, në logjistiken e tyre të përgjithshme, ka përmirësime edhe ne të ardhura, në benefitet tjera, por patjetër se ka hapësirë për të bërë më shumë. Mos të harrojmë se edhe PK siç është pjesë e pandashme e shoqërisë ndan fatin me shoqërinë në të cilën është pjesë. Kosova për shkak trashëgimisë saj ka vështirësitë e saj, por jam i bindur se do t’i tejkalojmë… Gjitha këto, janë në kuadër të angazhimeve tona për t’i plotësuar, jo vetëm për Policinë e Kosovës por për të gjithë”, tha Sveçla.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se qëllimi i kësaj ekspozite është që qytetarët të ndjehen të sigurt.

“Sot, 24 vjet më parë, më 6 shtator, gjenerata e parë e Policisë ka filluar trajnimin në Akademinë Policore në Vushtrri. Andaj, kjo ditë shënon edhe një ringjallje të shpresës së qytetarëve tanë për fillim të zbatimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, po ashtu është edhe një ringjallje e shpresës për jetë të sigurt në këtë vend. PK këtë ditë e shënon me një vrazhdë të aktiviteteve. Qëllimi i kësaj ekspozite është që qytetarët tonë të ndjehen të sigurt që këto pajisje janë për të garantuar rend dhe ligj, për të ndihmuar ata që të jetojnë të qetë e të sigurt në vendin tonë, dhe nuk kanë nevojë të frikësohen nga PK askush, përveç atyre që janë në kundërshtim me ligjin”, tha Hoxha.

Mes tjerash, Hoxha foli edhe për rekrutimin e policëve të rinj, duke shtuar se rreth 500 do të bëhen pjesë në këtë institucion.

“Ne veç e kemi pasur një konkurs para një muaji, është përmbyllur dhe jemi në proces të rekrutimit të këtyre personave që kanë aplikuar. Gjatë këtij viti do të fillojmë edhe gjeneratën e re. Do t’i marrim të paktën 400 deri në 500 zyrtarë të rinj dhe rekrutimi do të vazhdoj çdo vjet”, shtoi Hoxha.


​Osmani: Policia jonë gardianë të sigurisë dhe mbrojtjes së sovranitetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Policinë e Kosovës për ditën e themelimit.

“6 shtatori shënon një moment historik, të rëndësishëm në historinë e Kosovës – ditën e themelimit të Policisë së Kosovës”, citohet në komunikatë Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se “Sot Policia e Kosovës është shndërruar në një simbol të përkushtimit, guximit dhe profesionalizmit të palëkundur për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve, pa dallim. Ata janë gardianë të sigurisë sonë, të mbrojtjes së sovranitetit të Republikës”.

Sipas Osmanit, gra e burra të Policisë së Kosovës janë kurdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo situate.

“Gra e burra të Policisë së Kosovës janë kurdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo situate, për ta ofruar ndihmën e tyre dhe për ta mbrojtur rendin dhe ligjin, ndaj një falënderim i përzemërt për secilin prej tyre! Zotimi, përkushtimi dhe profesionalizmi juaj, janë shpresë dhe garanci për qytetarët e Kosovës për një mjedis të qetë dhe të sigurt! Urime dita e themelimit të Policisë së Kosovës!”, ka theksuar ajo.


24-vjetori i Policisë, ekspozohen njësitet dhe pajisjet

Me rastin e shënimit të Ditës së Policisë së Kosovës, janë ekspozuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë njësitet dhe pajisjet policore, për të cilat po interesohen qytetarë të shumtë që t’i shohin.

Armë, robotikë, automjete, autoblinda, motorë, pajisje të forenzikës dhe ato të mjekësisë janë ekspozuar që qytetarët e Kosovës të njihen më afër me to, dhe të dinë funksionin dhe rëndësinë e tyre.

Po ashtu përmes një projektori, po shfaqen disa prej aksioneve të policisë që konsiderohen si operacionet më të rëndësishme që janë kryer nga zyrtarët policorë.

Juristja, Dorentina Bujupi shprehet krenare për punën që kryen Policia e Kosovës, derisa thotë se ekzistojnë disa të drejta të cilat nuk po realizohen nga ana e institucioneve, për të cilat shprehet se duhet të zbatohen kërkesat e policisë lidhur me shtesat dhe ndërrimet e natës.

Ndërkaq, qytetarë të tjerë shprehen të kënaqur me sigurinë qe ofrojnë zyrtarët policorë, derisa shtojnë se Qeveria duhet bërë më shumë për të forcuar policinë.

Me rastin e kësaj ekspozite, fëmijë të shumtë shprehën interesimin për pajisje të ndryshme, të cilët shprehën dëshirën e tyre të madhe që në të ardhmen të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës, siç thonë ata për t’i shërbyer vendit.


24-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës

Policia e Kosovë sot mbush 24 vjet nga themelimi i saj.

Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.

Back to top button