Osmani: Politika agresive e Serbisë ndaj Kosovës paraqet kërcënim për sigurinë rajonale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nisur sot takimet me krerë shtetesh dhe delegacionesh, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. E shoqëruar nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ajo u takua sot me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda.
Në këtë takim, Osmani dhe Nauseda kanë diskutuar për raportet e mira ndërmjet vendeve. Presidentja e ka falënderuar Lituaninë për përkrahjen që ky vend i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve.
“Ne e kujtojmë përkushtimin e vendit tuaj për ta ndërtuar paqen dhe për ta lehtësuar shtetndërtimin në Kosovë. Por, ne vazhdojmë ta kujtojmë edhe dhimbjen për vrasjen e doganierit lituanez, Aurius Senavicius, gjatë një aksioni në veri të vendit, 8-vjetorin e vrasjes së të cilit e kujtuam dje”, ka thënë Osmani.
Presidentja e Kosovës dhe ai i Lituanisë kanë diskutuar edhe për sfidat me të cilat përballen dy vendet, sidomos sigurinë.
Osmani ka theksuar se “politika agresive e Serbisë ndaj sovranitetit të vendit tonë, e nxitur nga politika ruse, paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë rajonale. Sipas saj, bota demokratike duhet të rreshtohet në mbrojtje të vlerave evropiane të rajonit të Ballkanit”.
Tutje, ajo ka shprehur qëndrimin e Kosovës për thellim të partneritetit me vendet demokratike për të parandaluar kërcënimet ruse dhe atyre serbe ndaj sigurisë nacionale.
Ajo i ka kërkuar homologut të saj që Lituania të vazhdojë ta përkrahë anëtarësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nisma të rëndësishme ndërkombëtare.
“Ne presim që BE-ja të na përkrahë në synimet tona, në përputhje edhe me obligimet që burojnë nga MSA-ja, sipas së cilës BE-ja duhet ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë presidentja./21Media

Back to top button