Osmani: Populli i Kosovës i është gjithnjë mirënjohës Islandës

(Lajm i përditësuar)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Islandë, është takuar me kryeministren Katrín Jakobsdóttir, me të cilën tha se foli veçanërisht për shtyrjen përpara të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës, meqë aktualisht Islanda ka Presidencën e KE.
Osmani në vizitë pune në Islandë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Rejkjavik të Islandës, ku do të takohet me homologun e saj, presidentin Guðni Th. Jóhannesson, kryeministren Katrín Jakobsdóttir, kryetarin e Kuvendit Birgir Ármannsson dhe ministren e Punëve të Jashtme Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir.
Kjo është vizita e parë dypalëshe e një presidenti të Kosovës në historinë e raporteve në mes Islandës dhe vendit tonë.
Në këtë vizitë pune njëditore, temat e diskutimit të Presidentes do të jenë intensifikimi i bashkëpunimit përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës për të shtyrë përpara anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë, thellimi i marrëdhënieve bilaterale me Islandën, avancimi i rrugës euroatlantike të Kosovës, si dhe çështje të tjera të interesit të përbashkët./21Media