“Prekazi, kryeqytet i kryengritjes shqiptare”

(Lajm i përditësuar)
Kurti: Prekazi, kryeqytet i kryengritjes shqiptare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti Prekazin kryeqytet i kryengritjes shqiptare, ndërsa familja Jashari, tha se kujtohet me mall dhe me krenari.
“Para 25 vjetëve, 3 breza të Jasharajve luftuan 3 ditë rresht me mijëra forca policore të Serbisë që e kishin rrethuar kullën e Jasharajve, në mënyrë të shumëfishtë. Ranë gjithsej 59 veta. Ne kthehemi e rikthehemi në kryeqytetin e kryengritjes shqiptare për ta kujtuar e përkujtuar epopenë e UÇK-së, që i dha hov dhe mundësoi çlirimin dhe lirinë e vendit tonë”, tha Kurti.
Sipas tij, zhvillimi ekonomi bëhet pa harruar se kujt ia kemi borxh për lirinë,.
Konjufca: Rrënjët e vërteta të UÇK-së janë në luftën e lavdishme të Jasharëve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se rrënjët e vërteta të UÇK-së janë në luftën heroike e të lavdishme të Jasharëve.
Ai ka thënë se pas luftës heroike dhe pas flijimit të 59 anëtarëve të familjes Jashari, UÇKu bë i gjithë populli i Kosovës.
“Përveç kësaj edhe Bashkësia Ndërkombëtare lëvizi dhe e kuptoi luftën tonë mbrojtës. Për popullin e Kosovës kjo mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme”, ka thënë ai.
Osmani: Regjimi gjenocidal i Serbisë nuk kurseu as fëmijët e familjes Jashari
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sikurse çdo qytetar i Kosovës dhe çdo shqiptar, janë sot në Prekazin historik.
Ajo ka thënë se këto data janë mundësi e mirë që çdo qytetar të tregojë përkujtimin e tij për gratë dhe fëmijët e familjes Jashari.
“Ata nuk i kurseu regjimi gjenocidal i Serbisë. Siç e dini në mesin e të vrarëve kishte edhe fëmijë 5-vjeçar dhe kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm”, ka thënë ai.
Osmani ndan për Rifat Jasharin “Urdhrin e Lirisë”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka ndarë Rifat Jasharit “Urdhrin e Lirisë”. Këtë e ka bërë në një vizitë në shtëpinë e Jasharëve në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurti kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe te varret e familjes Jashari në Prekaz.
Krerët shtetërorë bëjnë homazhe në Prekaz
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe tek varrezat e familjes Jashari në Prekaz, në nderim të 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të udhëhequr nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, ata vendosën kurora lulesh të freskëta në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, mirëpo, ata nuk u prononcuan për medie.
Sot është dita e dytë e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë ditës homazhe bën edhe krerët opozitarë në Kosovë dhe qytetarë të shumtë nga vise të ndryshme.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?