Osmani: Republikës i duhet Ukshin Hoti
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka kujtuar veprimtarin e njohur Ukshin Hotin në 22 vjetorin e zhdukjes.
Sipas Osmanit, fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë së Kosovës, ndaj zbardhja e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë.
”Më 16 maj të vitit 1999, atdhetari e mendimtari Ukshin Hoti u lirua nga Burgu i Dubravës. Që prej asaj dite asgjë për fatin e tij, përpos kujtimit të çdovitshëm dhe rëndimit të ndërgjegjes sonë për mendimtarin politik, i cili prej 22-vjetësh vazhdon të mbetet në listat e të pagjeturve, të cilët janë rrëmbyer dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb. Me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull, thoshte Ukshin Hoti. Ai e nisi idenë e “veprës së bukur politike”, për lirinë, republikën dhe demokracinë, porse synimi i mendimtarit politik e filozofik mbeti në gjysmë”, ka shkruar Osmani në facebook.
Osmani tutje ka shtuar se çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve është prioritet i tyre.
”Republika e tij është bërë. Dy dekada në kërkim të tij, Republikës i duhet Ukshin Hoti”, ka shkruar tutje Osmani.
Kujtojmë që, më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti./21Media