Osmani: Rusia po e sheh Ballkanin si vend ku duan ta hapin një front të ri kundër perëndimit

(Lajm i përditësuar)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Forumin Diplomatik të Antalisë vlerësoi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për avancimin e demokracisë në Kosovë.

Ajo tha se Kosova është shembull i mirë i demokracisë në rajon.

Osmani foli edhe për luftën e fundit në Kosovë duke thënë se Kosova ka qenë viktime e gjenocidit për shumë vite.

“Kemi tejkaluar pushtimin shekullor, kemi qenë viktima të gjenocidit për shumë vite, viktima të krimeve të luftës, kemi numrin më të madh të fëmijëve të vrarë në luftërat e Ballkanit, kemi qindra gra të përdhunuara. Përkundër kësaj dhimbjeje, kemi zgjedhur rrugën e dialogut, rrugën paqësore”, tha ajo.

Osmani foli edhe për luftën në Ukrainë duke thënë se se nëse lufta në atje nuk përfundon me paqe, atëherë kjo do të ketë pasoja edhe për Ballkanin Perëndimor.

“Për çdo ditë që kalon dhe kjo u konfirmua edhe nga presidenti Zelenskyy, Rusia po e sheh Ballkanin si vend ku duan ta hapin një front të ri kundër perëndimit. Një prej rreziqeve më të mëdha të luftës është përhapja ose zgjerimi i konfliktit. Mu për këtë ne vazhdimisht e themi se ajo që ndodhë në Ukrainë nuk ndodhë vetëm brenda Ukrainës dhe se rezultati i kësaj lufte nuk do të jetë vetëm rezultat për Ukrainën. Mënyra se si përfundon kjo luftë do të vendosë një precedentë sepse nëse nuk përfundon në mënyrën e duhur, nëse nuk flasim për paqe të drejtë, kjo do të jetë shembull i tmerrshëm, jo vetëm për shtetet baltike, Moldavinë e Gjeorgjinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor. Sepse Rusia e thotë shumë haptas, nuk do të ndalem vetëm në Ukrainë. Rusia është krejt transparente për qëllimin e saj, duan që ta zgjerojnë konfliktin”, shtoi Osmani.

“Përtej faktit që jemi fqinjë me Serbinë, që fatkeqësisht jo vetëm tash së voni, por për një kohë të gjatë, është bërë një dorë e zgjatur e Rusisë në përpjekje për të destabilizuar rajonin, ju nuk mund të gjeni ndonjë ndikim rus brenda Kosovës, e kjo na ka ndihmuar edhe në luftën tonë ndaj propagandës ruse, e cila është e stërmadhe në rajonin tonë, sepse historikisht Rusia është përpjekur të gjejë terren ku do të mund të zgjeronin konfliktin. Gjithmonë e kanë parë Ballkanin Perëndimor si një prej këtyre tokave pjellore për konflikt. Kemi pasur krizë pas krize në rajon për shkak se interesi rus ka qenë që ta kthejë rajonin tonë në të 90-at kur ka pasur luftëra e konflikte”, tha Osmani.


Osmani në Turqi, publikon fotografi nga takimi me Erdoganin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Turqi me ftesë të presidentit turk, Reccep Tayip Erdogan. Ajo do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalyas.

Në llogarinë e saj në “X”, Osmani ka publikuar edhe momentin e shtrëngimit të duarve me presidentin turk dhe ka shkruar se pret takime produktive dhe diskutime për nevojën e avancimit të diplomacisë.


Osmani në Turqi merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

Me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi, ku do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë. Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga presidenca.

“Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor të liderëve, me temën e forumit të sivjetëm: “Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”, thuhet në komunikatë.

Tutje, është bërë e ditur se përgjatë punimeve të Forumit, Osmani do të takohet edhe me homologë nga disa vende të botës, pjesëmarrës të forumit.

“Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë. Forumi i sivjetëm do t’i zhvillojë punimet prej 1 deri më 3 mars”, thuhet në komunikatë./21Media

Back to top button