Osmani: Serbia ta kuptojë se realiteti i Kosovës së pavarur kurrë nuk do të ndryshojë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, i ka bërë thirrje Serbisë që të kuptojë se realiteti i Kosovës së pavarur kurrë nuk do të ndryshojë.
Ajo ka bërë thirrje për pranim të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Osmani po ashtu ka thënë se mandati i UNMIK-ut tani është në kontradiktë me interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën dhe ka bërë thirrje që të vendoset buxheti i dedikuar për të për përdorim më të mirë.
“Republika e Kosovës sot është vend i lirë, sovran, i pavarur dhe gjithnjë e më i begatë. Kjo duhet të shërbejë si dëshmi e mjaftueshme për ta bërë të qartë për të gjithë se jo vetëm që UNMIK–u, e ka tejkaluar mandatin e tij, por është gjithashtu në kundërshtim me interpretimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – një organ i OKB-së. Ndërkohë që i falënderojmë për punën e tyre, ju inkurajojmë që ta përdorni buxhetin tuaj për çështje më të rëndësishme”, ka thënë Osmani.
Tutje, presidentja ka theksuar se Kosova është e gatshme të ulet në dialog me qëllimin final për njohje reciproke.
Sipas saj, Kosova ka zbatuar 90 për qind të marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa Serbia është ajo që nuk i ka respektuar.

Back to top button