Osmani: Shpresojmë se SHBA-të do të ndajnë vaksina për qytetarët tanë

 

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot takoi zëvendës-ndihmësin sekretarin e shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Në takim, Osmani tha se institucionet e Kosovës janë të përqendruara maksimalisht në menaxhimin e pandemisë, zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si prioritete themelore të institucioneve të vendit.

Ajo i falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në për përkrahjen që u kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në këtë kohë të vështirë për të gjithë. Ajo shprehu mirënjohjen ndaj BE-së për donacionin e vaksinave, dhe shprehu shpresën se edhe SHBA-të do të ndajnë një numër të vaksinave për qytetarët.

Tutje, ajo ritheksoi qëndrimin e institucioneve se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.

Ajo ripërsëriti qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.

Për më tepër, presidentja theksoi çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces.

“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme”, tha Osmani.

Palmer dhe Lajçak, nga ana e tyre, e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./21Media

Back to top button