Osmani takohet me përfaqësues të mërgatës së Kosovës në Turqi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Turqi, ka marrë pjesë në shënimin e 14- vjetorit të pavarësisë së Kosovës në një aktivitet të organizuar nga studentët kosovarë dhe shoqatat e mërgatës. Ndërkaq nën organizim të Konsullatës së Kosovës në Stamboll,  Osmani është takuar me përfaqësues të mërgatës, bizneseve dhe studentëve.
Osmani ka çmuar lart kontributin e mërgatës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Republika e Kosovës.
“E di që mallin për atdhe e keni secili prej jush dhe të çdoditshëm, siç e di që mundi, djersa dhe sakrifica juaj që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë nuk kanë munguar kurrë. Kosova mbijetoi edhe shkaku i juve, shkaku i kontributit të mërgatës kudo në botë, përfshirë në Turqi”, ka theksuar Osmani.
Ajo e ka quajtur mërgatën “shpirti dhe zemra e Kosovës”, teksa ka shfaqur bindjen se me mbështetjen e saj, Kosova do të vazhdojë të shënojë suksese.
Ndërkaq në takimin me përfaqësues të shoqatave të mërgatës, bizneseve dhe studentëve, të organizuar ngas Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll, Presidentja Osmani e ka cilësuar mërgatën ambasadorët më të mirë të shtetit të Kosovës.
Sipas saj, liria dhe pavarësia e Kosovës është realizimi i ëndrrës të gjeneratave të tëra të shqiptarëve, duke përfshirë edhe ata të Turqisë, të cilët kanë ruajtur lidhjen me Kosovën, atdheun e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre. Ajo ka theksuar se investimet e mërgatës në Kosovë luajnë rol në krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.
“Për Kosovën është shumë e qartë se një mërgatë e angazhuar dhe mirë e integruar është një pasuri dhe një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë. Shtëpia juaj mbetet përherë Kosova, ndërsa ju vazhdoni ta nderoni e ta ngrisni gjithnjë e më lartë emrin e vendit tonë në çdo cep të botës ku jetoni e veproni. Për këtë u jemi mirënjohës përherë”, është shprehur  Osmani.
Në këtë kontekst, ka theksuar se mërgata përtej kontributit financiar ka rol në zhvillimin e Kosovës, si investitorë kryesorë të drejtpërdrejtë në industritë kritike dhe ato në zhvillim./21Media

Back to top button