Osmani takon Ndihmës Sekretarin Ruge: Hapja e Urës së Ibrit akt integrimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të martën Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Çështje Politike dhe Politikë të Sigurisë të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge.
Osmani ka përsëritur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.
Në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës.
Tutje, Presidentja e uroi Ruge për samitin e suksesshëm të NATO-s në Washington D.C., ku Republika e Kosovës u përfshi për herë të parë në një sërë aktivitetesh në kuadër të samitit, me ftesë të Presidentit Biden dhe Sekretarit Blinken, e ku u riafirmua uniteti transatlantik dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën.