Osmani takon Ramën: Kosova e Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme

(Lajm i përditësuar)


Në kuadër të vizitës shtetërore në Shqipëri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u prit në takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas një komunikate për media nga zyra e presidencës, gjatë takimit, Osmani dhe Rama diskutuan për aspekte të ndryshme me interes të përbashkët, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimin në politikën e jashtme, partneritetin ekonomik dhe stabilitetin rajonal.

“Një bisedë përmbajtësore rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë. Duke punuar së bashku, Kosova dhe Shqipëria mund të hapin rrugën për një të ardhme më të ndritshme dhe më të integruar”, ka theksuar Osmani.

Të dy liderët shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dhe për të punuar së bashku në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, të cilët ndërlidhen me rrugëtimin euroatlantik.

Në këtë kontekst, Osmani theksoi është në interesin e të dy shteteve dhe atë rajonal që të ketë një koordinim të ndërsjellë në politikën e jashtme, në funksion të integrimit të të dy shteteve në familjen euroatlantike.

Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Osmani tha se Kosova është palë konstruktive, teksa potencoi se njohja reciproke, ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional të Republikës së Kosovës duhet të jenë rezultati i këtij procesi.

Osmani dhe Rama shprehën optimizmin e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri dhe vunë theksin në potencialin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.


Osmani: S’duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me atë, siç tha ajo, që e realizoi Rusia në Ukrainë më 2014.

Osmani, që qëndroi në vizitë zyrtare në Shqipëri, tha se të gjitha shtetet demokratike në rajon nuk duhet të lejojnë zbatimin e këtij plani.

Ajo iu referua nisjes së konfliktit mes separatistëve të mbështetur nga Rusia me forcat ukrainase në rajonin lindor të Donbasit dhe aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Moska.

“Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar në përpikëri planin që [presidenti rus, Vladimir] Putini kishte zbatuar në vitin në vitin 2014 kundër Ukrainës, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë të atakojnë vlerat dhe sistemin e vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE-ja dhe NATO-ja”, tha Osmani, duke iu referuar tensioneve në veri të Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – u rritën në fund të majit, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën në prill. Votimet e prillit u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe në Kosovë.

“Prandaj, sa i përket asaj që ngjan në veri, ta keni parasysh që Serbia vazhdimisht fut armatim në Kosovë ilegalisht, Serbia vazhdimisht trajnon pjesë të strukturave ilegale kriminale në ushtrinë serbe, në mënyrë që ata pastaj të shkaktojnë probleme nëpërmjet armëve që i sjellin ilegalisht në veri të Kosovës. [Serbia] vazhdimisht i terrorizon, frikëson e sulmon qytetarët serbë që jetojnë në veri. Vazhdimisht fut grupe transnacionale të krimit të organizuar në veri. Kjo është një sfidë për të gjithë rajonin tonë, që të gjitha shtetet demokratike duhet ta trajtojmë së bashku. Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor”, tha Osmani, duke mos ofruar dëshmi për të mbështetur këto pretendime.


Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, garanci për paqe të rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova është e përkushtuar të fuqizojë pozicionin e saj ndërkombëtar, duke shtyrë tutje synimin për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, Osmani u shpreh në Tiranë të hënën se anëtarësimi i Kosovës në NATO është synim afatgjatë, e përfshirja në Programin e Partneritetit për Paqe është garanci për paqe e siguri.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO si synim afatgjatë dhe përfshirja sa më parë në Programin e Partneritetit për Paqe te NATO-s janë garanci për paqe dhe siguri në rajon dhe kontinentin tonë. Fakti që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s krijon siguri më të madhe në gjithë rajonin tonë e në veçanti në Kosovë”, ka deklaruar presidentja Osmani, ka njoftuar Zyra e Presidencës nëpërmjet një komunikate.

Sipas Osmanit, Kosova e Shqipëria kanë nevojë për rritje të koordinimit në politikën e jashtme, në “raport me interesat e të dy shteteve”.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike historike, kulturore dhe kombëtare, lidhje kjo e fortë dhe e pathyeshme. Përballë sfidave, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, duke u fokusuar në qëllimin tonë madhor: integrimin e shteteve tona në familjen euroatlantike”, ka theksuar ajo.


Osmani: Kryefjala e vizitës – strategji dhe veprim të unifikuar në politikën e jashtme

Presidentja Vjosa Osmani e ka falënderuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe shtetin shqiptar për mbështetjen që i ofrojnë vazhdimisht Kosovës.

Ajo, në një konferencë për media, ka deklaruar se kombi shqiptar vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon.

“Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”, tha Osmani në konferencë për media.


Begaj: Askush s’ka pse çuditet se pse Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se “marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë shumë të mira”, dhe se kanë biseduar për “nevojën e një koordinimi më të mirë për çështjen kombëtare”.

“Theksova se duhet gjithmonë të udhëhiqemi nga interesi kombëtar për të thelluar bashkëpunimin”, tha ndër tjerash Begaj në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenti i Shqipërisë theksoi se “askush nuk ka pse çuditet se përse Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë”.

“Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, nënvizova se Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon”, tha ai.

Begaj tha se me Osmanin kanë ndarë mendimin se për procesin e njohjeve të Kosovës, “është i nevojshëm një koordinim dhe bashkërendim më i mirë i punës mes institucioneve të të dy vendeve”.


Osmani e nis vizitën në Shqipëri, pritet nga Begaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u prit me nderime shtetërore nga homologu i saj shqiptar, Bajram Begaj.

Pritja filloi me ceremoni zyrtare nga Garda Kombëtare e Shqipërisë, në sheshin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytetin shqiptar.

Ata kanë hyrë në Pallatin Presidencial për të zhvilluar takimin sy me sy.

Begaj i ka uruar asaj mirëseardhje Osmanit edhe përmes një shkrimi në “Facebook”, ku ka shkruar “Mirë se u rikthyet në shtëpinë tuaj, Presidente Osmani!”.


Osmani sot dhe nesër në Shqipëri 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë në Shqipëri.

Ajo në Tiranë do të pritet me një ceremoni shtetërore në ambientet e Presidencës së Shqipërisë.

Përveç me homologun e saj, Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Shqipëri, e para e shtetit të Kosovës do të takohet edhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla dhe me kryeminsitrin Edi Rama.

Në kuadër të kësaj vizite, presidentja Osmani do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

Kjo është vizita e parë e presidentes së Kosovës që nga koha kur kreu i shtetit shqiptar Bajram Begaj mori detyrën.

Agjenda:

Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, z.Bajram Begaj, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë shtetërore dy ditore në Shqipëri gjatë së cilës do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Presidenti Begaj. Përveç takimit tête à tête, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione.

Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje Presidenti Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për Presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova. Presidentja do të shoqërohet nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, i cili gjatë ditës do të vijojë me agjendë të përbashkët me Zonjën e Parë të Shqipërisë, Armanda Begaj.

Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Pas takimit, Presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Kryeministri Rama. Presidentja poashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Lindita Nikolla.

Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë. Poashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.

Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidentja Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

Agjenda do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidentes do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri.

Në Durrës ndërkaq, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.

Back to top button