Tahiri: Qeveria s’ka guxim të ballafaqohet me të vërtetën

(Lajm i përditësuar)


Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se sot si opozitë jemi bashku për të kërkuar ballafaqim të së vërtetës lidhur me tekstet shkollore, sepse konsiderojmë se është bërë padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës.

Tahiri shtoi se kjo qeveri nuk ka guxim për t’u ballafaquar me të vërtetën.

“Mungesa e guximit për t’u ballafaquar me të vërtetën. E vërteta është se kudo në secilin sektor që kjo qeveri dhe ky kryeministër ka prek aty ka qenë dështimi”, ka thënë Tahiri.

Shefi i deputetëve të AAK-së, tha se mazhoranca ka qasje arbitrare dhe autoritare, e cila sipas tij është verbëruar në gërzhojën e mendimit politik të VV-së.


Bajrami: Kujt po ja ka frikën qeveria e 51 përqindëshit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se pamja në Kuvend sot tregon shumë se ku është qeveria e majit.

Bajrami tha se kjo qeveri vrau të vetmin element të barazisë në shkollat e Kosovës.

“Këtë vit MASHTI dështoi të bëjë pazar me shtëpitë botuese, dhe dolu në konferencën katër ditë para fillimit të vitit të shkollor dhe ju tha prindërve që po ua kalojmë mjetet juve e ju përballuni me këtë kosto”, tha Bajrami.

Deputetja shtoi se sot qeveria e popullit e 51% nuk është në Kuvend.

“Nuk po e dimë prej kujt po ikni, kujt po ja keni frikën. Nëse e keni me të drejtë atëherë pse sot deputetët e mazhorancës nuk janë sot këtu që të përballen me kritikat tona”, u shpreh Bajrami.

Bajrami tutje shtoi se ministrja me shumë vonesë u tha prindërve që mos i bleni librat pa i marrë listat nga mësimdhënësit.

“Sot ministrja del krekoset me numrin e aplikimeve dhe buxhetin që e ka nda. Deri në fund të vitit shkollor do të kemi fëmijë që kanë me mbet pa libra”, tha tutje deputetja e LDK-së.


Krasniqi: Qeveria i ka lënë fëmijët e Kosovës pa libra shkollorë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar Qeverinë Kurti se i ka lënë nxënësit pa tekste mësimore, derisa tha se deputetët e pushtetit po i ikin ballafaqimit në Kuvend.

Ai deklaroi të hënën se për mungesa e teksteve shkollore ndodhi për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, derisa shtoi se për këtë përgjegjëse është ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Veprimet e gabimet e kësaj qeverie po e bëjnë te jashtëzakonshme seancën. Do të duhej të diskutonim për reformën në arsim, mundësitë e reja që i ka krijuar kjo qeveri. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë kjo Qeveri i ka lënë nxënësit fëmijët e Kosovës pa libra shkollorë, e turpshme dhe shkelje e ligjit. Kjo ministre ka përgjegjësi penale, e kanë shkelur ligjin, trefishuar koston e librave” tha Krasniqi.

Ai tha se në vend që Qeveria t’i shpenzojë 4.8 milionë euro në blerjen e teksteve shkollore, po i shpenzon 12 milionë euro.

“Vitin e kaluar i kanë fajësuar mësimdhënësit duke iu thënë se janë të paaftë ,e sivjet prindërve ua kanë vendosur një barrë të re të vrapojnë poshtë e lartë të blejnë libra. 100 pyetje është dashur të bëhen në këtë seancë”, shtoi ai.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë shkuar në seancën e cila ka nisur në orën 12:00, e ku do të diskutohej për tekstet shkollore.


Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme për librat

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Kjo seancë vjen me ftesë të opozitës për të diskutuar për furnizimin me tekste shkollore të nxënësve për këtë vit të ri shkollor.

Mbledhja e Kuvendit pritet të zhvillohet me fillim nga ora 12:00.

Për këtë ka shkruar deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

“Shkollat janë të papërgatitura, nxënësit nuk kanë tekste shkollore e materiale mësimore, ndërsa familjet e prindërit janë të braktisur. Mbi 200 mijë nxënësve nuk do t’iu ofrohen në shkolla tekstet falas, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç ka ndodhur për më shumë së një dekadë. Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente. Prandaj, ne, deputetët e opozitës – anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, kemi iniciuar thirrjen e Seancës së Jashtëzakonshme të Kuvendit e cila do të mbahet të hënën, më 04 shtator”, është shprehur Hoxha në “Facebook”.

Back to top button