Osmani tha se puna e Beau Biden dhe e kolegëve të tij nuk do të shkojë kurrë kot
Presidentja Vjosa Osmani sot në ceremoninë e dekorimit post-mortem të Joseph Robinette “Beau” Biden III tha se Beau Biden në Kosovë ka punuar për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit.
Ajo u shpreh e nderuar që sot mund t’ia njihen meritat Beau Bidenit dhe ta festohet zyrtarisht kontributi i tij për vendin tonë.
“Krijimi i institucioneve dhe trajnimi i gjyqtarëve, të cilin, së bashku me kolegët e tjerë amerikanë, Beau Biden e filloi para pavarësisë, sot përbën njërën ndër shtyllat kryesore të institucioneve më të rëndësishme të Kosovës. Dëshira për ta forcuar më tej sundimin e ligjit u bë jashtëzakonisht e qartë në kutitë e votimit në fillim të këtij viti. Qytetari ynë foli zëshëm, prandaj është detyra jonë morale dhe politike që, si institucione, të sigurojmë se do të vazhdojmë përpara me reformat në sistemin tonë të drejtësisë.”, tha Osmani në fjalimin e saj.
Presidentja tha se kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i popullit amerikan për vendin, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar, e tejkalon raportin e partneriteteve, të tilla çfarë i njeh sot bota.
“Flamujt amerikanë do të vazhdojnë të valëviten lart dhe me krenari në të gjithë Republikën e Kosovës – kjo është mënyra jonë për të treguar mirënjohjen tonë për mbështetjen që ju na keni dhënë për dhjetëvjetësha të tërë përmes njerëzve si Beau dhe çdo qytetari tjetër të Shteteve të Bashkuara, që ka kontribuar për paqen, sigurinë dhe shtetësinë tonë.”, tha ajo.
Osmani deklaroi se trashëgimia e Beau vazhdon të jetojë – veprimet e tij vazhdojnë të na frymëzojnë ne në Kosovë, sikur i frymëzojnë edhe qytetarët e Shtetet e Bashkuara, të cilëve mundi t’ua ndryshonte jetën.
“Ashtu si djali i tij i dashur, Beau, edhe vetë Presidenti Biden ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë. Siç e them shpesh, Joe Biden ishte zëri ynë kur ne nuk kishim zë. Ai luftoi për ta kthyer vëmendjen drejt Kosovës kur të tjerët, gjithandej botës, nuk ishin të gatshëm të na përkrahnin në luftën tonë kundër diskriminimit sistematik dhe segregacionit, të kryera nga regjimi i atëhershëm i Millosheviçit. Joe Biden ishte avokat i zëshëm yni në Senat për ndërhyrjen e NATO-s, në vitin 1999, e cila i dha fund luftës dhe gjenocidit në Kosovë.”, tha presidentja.
Ajo shtoi se angazhimi i Presidentit Biden ndaj vendit të tij, si dhe puna e tij për ta bërë botën vend më të mirë jetese, është i pakalueshëm.
“Njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e ditur. Unë besoj, matja e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi i përjetshëm që lë pas. Kjo nënkupton para së gjithash njerëzit që ju i frymëzoni, zemrat që i prekni dhe jetët që i ndryshoni pa qenë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë. I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve. Në ditët tona më të errëta, e gjithë familja Biden u ka dhënë gjithashtu dritë njerëzve të Kosovës.”, tha Osmani për Beau Biden.
Ajo theksoi se se puna e Beau-t dhe e kolegëve të tij amerikanë nuk do të shkojnë kurrë kot.
“Ne do ta bëjmë Kosovën vend me të cilin do të krenohemi, ngase ka potencial të jetë i tillë. Ne do ta bëjmë Kosovën vendin të cilin e meriton populli ynë. Zoti President: ne do t’ju bëjmë krenarë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Le të pushojë në paqe shpirti i Beau dhe uroj që trashëgimia e tij të na udhëheqë përherë në drejtim të asaj se çfarë është e drejtë dhe për t’i shërbyer njerëzve dhe vendit tonë me dinjitet dhe nder.”, shtoi tutje Presidentja Osmani./21Media