Osmani uron Presidentin Biden: Populli i Kosovës feston përkrah aleatëve amerikanë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden me rastin e festimit të 4 Korrikut.
Osmani ka thënë se lidhja midis dy kombeve tona është krijuar në disa prej ditëve tona më sfiduese dhe është forcuar gjatë ditëve tona më të mira
“Ndërsa shumë gjëra kanë ndryshuar në rrjedhën e historisë, vendosmëria dhe shpirti i palëkundur i Etërve Themelues për të drejtuar Shtetet e Bashkuara për t’u bërë fuqia më e madhe demokratike, ekonomike dhe ushtarake e botës ka mbetur e pranishme në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një fanarë shprese dhe mbrojtësi më i vendosur i idealeve tona të përbashkëta të demokracisë dhe lirisë. Në këtë kohë kyçe për botën tonë dhe për idealet tona të fituara me mund, ne vlerësojmë qasjen tuaj parimore dhe mbështetjen tuaj të palëkundur për unitetin dhe sigurinë në Evropë, pasi kontinenti ynë përballet me një nga sfidat më të mëdha dhe më shkatërruese të kohës sonë. Shtëpia e të lirëve dhe e trimave është sot një mbrojtës global i paqes dhe lirisë, dhe një vend shprese e rehatie për njerëzit në mbarë botën që besojnë në të njëjtin vizion për të ardhmen. Ne shikojmë drejt jush dhe jemi gati t’u mbështesim në mbrojtjen e vlerave në të cilat ne dhe njerëzit tanë besojmë”, ka shkruar Osmani në letrën drejtuar Bidenit.
Osmani ka shtuar se populli i Kosovës është mirënjohës për mbështetjen personale dhe të vazhdueshme të Bidenit.
“Sot populli i Kosovës feston përkrah miqve dhe aleatëve tanë amerikanë dhe flamujt tanë valëviten me krenari krah për krah. Më lejoni t’u shprehë përsëri urimet tona më të mira për këtë ditë të veçantë dhe t’u uroj juve dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar 4 Korrikun”, ka thënë Osmani./21Media