Osmani: Vijon identifikimi i viktimave dhe transportimi i kufomave
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se gjatë ditës së nesërme do të vijojë procesi i identifikimit të kufomave nga aksidenti tragjik në Bullgari, shkruan TV21.
“Nesër vazhdojmë me aktivitetet koordinuese sipas dinamikës së dakorduar me kolegët tanë nga Sofja. Institucionet e drejtësisë tashmë janë në kontakt të drejtpërdrejtë për përfundimin e procesit të identifikimit, procesin e analizave të ADN-së”, deklaroi Osmani.
Ai tha se pas identifikimit të viktimave, do të vijojë transportimi i organizuar i kufomave.
”Do të vijojë një procedurë e organizuar për transferimin e kufomave të të ndjerëve, aktivitet që do të koordinojmë së bashku me MPJ-në bullgare, e cila nga ana e saj ka marrë përsipër të koordinojë aktivitetet me institucionet tjera në Sofje”, tha mes tjerash Osmani.
Një autobus i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, sot në mëngjes është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident, jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë./21Media