Spasovski: Qeveria do të mbulojë shpenzimet për transport të kufomave
Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski në konferencën e sontme tha se Qeveri do të mbulojë shpenzimet për transport të kufomave nga aksidenti tragjik në Bullgari, shkruan TV21.
“Mbesim së bashku me familjet. Institucionet janë këtu për të siguruar ndihmë sipas nevojave, gjegjësisht tashmë dihet se organizimin dhe shpenzimet rreth kthimit të viktimave të tragjedisë në vend, do të jenë në barrën e Qeverisë”, deklaroi Spasovski.
Një autobus i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, sot në mëngjes është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident, jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë./21Media