Osmani vlerëson Drenasin për performancë shembullore, Lladrovci: Kemi punë për të bërë

(Lajm i përditësuar)
Osmani vlerëson Drenasin për performancë shembullore, Lladrovci: Kemi punë për të bërë
Në kuadër të vizitave të komunave të Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot vizitoi Komunën e Drenasit, me ç ‘rast përgëzoi atë për performancë të mirë në transparencë dhe llogaridhënie.
Osmani, pas takimit me kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci tha se Drenasi është një komunë që është bërë simbol i qëndresës, heroizmit dhe simbol i vendosmërisë së pa epur.
Krahas kësaj, në një deklarim për media, Osmani potencoi se Drenasi nuk njihet vetëm për kontributin e dhënë në luftën për lirinë e Kosovës, porse përmendi atë si një ndër komunat me performancën më shembullore në nivel republike.
E para e vendit theksoi përfshirjen e madhe të grave në pozitat udhëheqëse të kësaj komune, për çka tha se duhet marrë shembull.
Sipas saj, sa më shumë të ketë gra në vendimmarrje, aq më shumë do ketë perspektivë për qytetarët.
“Jemi në një komunë që është bërë simbol i qëndresës, heroizmit dhe simbol i vendosmërisë së pa epur…Trimëria që e ka treguar kjo komunë dhe qytetarët e sa, trimëria e heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ata që qëndruan të pa tundur përballë shtypjes serbe dhe atyre që paguan çmimin përfundimtar me jetën e tyre për lirinë tonë nuk do të harrohet asnjëherë. Sakrifica e tyre na kujton se liria është më e çmueshmja dhe duhet të ruhet me përkushtim të pa lëkundur. Drenasi nuk shquhet vetëm për kontributin në lirinë e Kosovës, sot Drenasi frymon lirshëm dhe zhvillohet në mënyrë dinamike, duke u bërë një ndër komunat me performancën më shembullore më nivel të republikës sonë. I përtrirë dhe me një potencial për zhvillim ekonomik Drenasi po rritet, po zhvillohet nga sipërmarrës të zellshëm, biznese dhe përkushtim të vazhdueshëm të qytetarëve dhe qytetareve punëtorë. Është jashtëzakonisht inkurajues fakti që mbi 50 për qind e ekzekutivit komunal që nga dita e parë e udhëheqjes së kryetarit Lladrovci janë të përbëra nga gratë. Kjo dëshmon zotësinë e gruas, punën e saj të jashtëzakonshme dhe besimin në punën e gruas. Ky është një shembull që duhet ndjekur”, tha Osmani.
Me rastin e vizitës, presidentja Osmani potencoi se sfidat me të cilat po përballet Kosova, derisa përmendi pabarazinë ekonomike, papunësinë e të rinjve dhe nevojën për zhvillim të mëtejmë të infrastrukturës në disa sektorë.
Ajo tha se do të vazhdojë të përkrahë komunat në plotësimin e nevojave të qytetarëve.
“Komunat zhvillohen atëherë kur grave u jepet hapësirë për pozita vendimmarrëse. Prandaj, sa më shumë gra në vendimmarrje aq më shumë do ketë perspektivë për të gjithë qytetarët tanë. Akoma kemi pabarazi ekonomike, pa punësia e të rinjve është një ndër sfidat kryesore dhe nevoja për zhvillim të mëtejmë të infrastrukturës qoftë në sektorin e shëndetësisë, qoftë atij të arsimit janë çështje që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Komunat e fuqizuara e fuqizojnë shtetin tonë”, theksoi Osmani.
Ndërkaq, i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci derisa falënderoi presidenten për vizitë tha se pavarësisht sukseseve të deritanishme, kanë shumë punë për të bërë.
Ndër prioritetet e kësaj komune, Lladrovci potencoi arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik dhe bujqësinë.
Ai tha se do të vazhdojnë të jenë kampion në zbatimin e ligjit.
“Jemi në komunën me performancën më të mirë komunale në nivel nacional për vite me radhë për transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mire. Për këto suksese apo gjysmën e tyre e kanë gratë. Kemi punuar shumë por kemi edhe shumë punë për të bërë. Arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, bujqësia janë disa nga prioritetet tona. Jemi kampion në zbatim të ligjit dhe do të vazhdojmë”, tha Lladrovci.
Gjatë vizitës në Drenas, presidentja vizitoi Parkun e Biznesit dhe shkollën “Xhevë Lladrovci”, në Gllanasellë.
Osmani: Një pjesë të fëmijërisë e kalova në Drenas
E para e shtetit, Vjosa Osmani, ka thënë se Drenasi është simbol i qëndresës dhe herozimit, pas takimit që pati me kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovici, në një vizitë që e ka realizuar të premten.
Ajo tha se është frymëzim i vazhdueshëm që të shkojë në këtë komunë, meqë një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në Drenas, meqë është mbesë e kësaj komune.
“Në Drenas e kam kaluar një pjesë të fëmijërsië time si mbesë e Drenasit. Trimëria e heronjve të UÇK-së dhe atyre që paguan çmimin për liri nuk do harrohen asnjëherë. Është frymëzim i yni i vazhdueshëm për një të ardhme më të mirë edhe sot i kujtojmë duke nderuar jo vetëm shtëpitë e tyre, por nderin e gjithë kombit tonë. Familjet e këtyre heronjve që janë në mesin tonë dua të iu shpreh edhe njëherë mirënjohjen tonë. Drenasi nuk shquhet vetëm për kontributin e Kosovës sot, Drenasi është një nga komunat më shembullore në nivel të Republikës sonë. Drenasi po rritet me përkushtim të qytetarëve dhe qytetareve punëtore. Mbi 50 për qind e ekzekutivit janë gra, kjo dëshmon punën e jashtëzakonshme të gruas, është shembull që duhet të ndiqet kur gruas i jepet mundësi zhvillovet e gjithë Kosova”, tha ajo.
Presidentja tha se kjo është meritë e ekipit ku gratë janë një rol domethënës që sa më shumë gra të ketë në vendimmarrje.
Osmani pritet në takim nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Kjo në kuadër të vizitave që Osmani do t’u bëjë komunave të vendit.
Gjatë kësaj vizite, Osmani do të takohet me anëtare të Kuvendit Komunal, gra të angazhuara në biznes, arsim, shëndetësi dhe shoqëri civile, do ta vizitojë Parkun e Biznesit si dhe do të qëndrojë në shkollën “Xhevë Lladrovci”, në Gllanasellë.
Osmani niset drejt Drenasit: Komunë me njerëz trima e trimëresha
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është nisur drejt Drenasit.
Në një video live nga vetura, e para e vendit tha se kjo komunë ka histori të jashtëzakonshme të njerëzve trima e trimëresha, njerëz që e kanë shkruar historinë e Kosovës.
“Jemi rrugës për në komunën e Drenasit, komunë me një histori të jashtëzakonshme të njerëzve trima e trimëresha, njerëz që e kanë shkruar historinë e Kosovës, njerëz që kanë sakrifikuar shumë për lirinë që e gëzojmë shumë sot. Njëkohësisht edhe njerëz që kanë prosperuar e kanë ecur përpara dhe sot na bëjnë krenar me sukseset e tyre kudo”, tha Osmani.
Presidentja tutje njoftoi se do të takohet me kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci, me rinën, përfaqësues të organizatave joqeveritare e qytetarë të Drenasit.
Presidentja sot viziton Drenasin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do e vizitojë Drenasin, në kuadër të vizitave të komunave të vendit.
E para e vendit do të pritet nga kreu i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Gjatë kësaj vizite, Osmani do të takohet me anëtare të Kuvendit Komunal, gra të angazhuara në biznes, arsim, shëndetësi dhe shoqëri civile, do ta vizitojë Parkun e Biznesit si dhe do të qëndrojë në shkollën “Xhevë Lladrovci”, në Gllanasellë.