Osmani: Vuçiqi po e mendon aneksimin e Kosovës me armë ruse, sipas modelit të Krimesë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur lidhur me pozicionimin e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.

Në një intervistë për “La Republica”, Osmani ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po e mendon aneksimin e Kosovës me armë ruse, sipas modelit të Krimesë.

Ajo tutje ka shtuar se “Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe për këtë, NATO është me ne”.

Osmani ka thënë se Serbia ka kryer akt agresioni më 24 shtator në Kosovë, përkatësisht në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku dhe tre të tjerë u plagosën, njëri prej tyre me armë zjarri.

Sipas saj, Serbia po tenton të kryejë edhe një tjetër akt, duke vendosur forcat e armatosura ushtarake pranë kufirit me Kosovën.

“Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke pozicionuar forcat e armatosura dhe artilerinë ushtarake në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vjetet e fundit, e paprecedentë”, ka thënë ajo.

Të premten, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën se janë duke përcjellë me vëmendje “lëvizjen e paprecedentë të artilerisë, tankeve e njësive të tjera ushtarake serbe” përgjatë kufirit me Kosovën duke e cilësuar lëvizjen si “shumë destabilizuese”.

Qeveria, nëpërmjet një deklarate të shtunën, ka bërë të ditur se njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë së Serbisë kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të Kosovës, njësitë e Brigadës së Tretë nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor, dhe njësitë e Brigadës së katërt nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Kosovës. Kryeministri Kurti theksoi nevojën që të mbrohet kufiri, e presidentja Osmani tha se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe siguri

Në një deklaratë për “Financial Times” të shtunën, Vuçiqi ka thënë se Serbia do ta ulë numrin e forcave në atë pjesë “sepse përshkallëzimi i konfliktit do të ishte kundërproduktiv për aspiratat evropiane të Beogradit”.

Back to top button