Osmani: Vuçiqi si ministër i propagandës i arsyetonte masakrat, e si president i Serbisë po i mohon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në Serbi ende po vazhdon mendësia e viteve ’90, mendësi kjo që shkaktoi mbi 100 mijë viktima civile në Ballkan.

Osmani ka folur gjatë akademisë përkujtimore për 26-vjetorin e masakrës së Reçakut.

“Në kohën kur njerëzit në Reçak masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin, me emrin Aleksandar Vuçiq. Sot po i njëjti, nën petkun e presidentit të Serbisë, vazhdon ta mohojë masakrën e Reçakut. E mohon atë që bota e pa me sytë e vetë, e quan Millosheviqin njeri të madh me qëllime të mira. Si propagandues që është, në njërën anë flet për paqe e në anën tjetër dërgon forcat e veta paramilitare terroriste për ta sulmuar Kosovën. Por, sikurse në vitet ’90 njësoj edhe sot Kosova ka djem dhe vajza që i dalin zot atdheut dhe e mbrojnë çdo pëllëmbë të tij”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se Reçaku është dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë, që kërkonte dhe luftonte për liri dhe për të drejtën për ekzistencë.

“Pamjet e masakrës tronditën botën dhe e prekën ndërgjegjen ndërkombëtare, krejt kjo në saje të mikut tonë të madh ambasadorit William Walker, që me guximin e përkushtimin i dha zë të vërtetës së pamohueshme të vuajtjeve të popullit tonë. Ai dëshmoi para botës atë që e pa me sytë e tij, mizoritë e paimagjinueshme të cilat regjimi gjenocidal i Serbisë i kreu mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare këtu në Reçak e kudo në Kosovë…Fjalët e thëna me vendosmëri nga ambasadori Walker tronditën opinionin publik ndërkombëtar dhe ishin thirrje për veprim të menjëhershëm, duke hapur rrugën për ndërhyrje të NATO-s që bashkë me luftën çlirimtare të bijve e bijave të Kosovës, të Ushtrisë sonë çlirimtare, e bën Kosovën më në fund të lirë”, tha Osmani.

 

 

Back to top button