KEDS zë pesë biznese në Prishtinë duke e vjedhur energjinë elektrike

Pesë biznese në Prishtinë janë zënë nga KEDS duke e vjedhur energjinë elektrike.
Bizneset të cilat e kanë vjedhur rrymën sipas KEDS do të përballen me pasoja.
“Pasoja e parë me të cilën do të ballafaqohen këto biznese është Rikthimi i Humbjeve të shkaktuara ndaj KEDS-it. Sipas rregulloreve në fuqi, për biznese përllogaritja e humbjeve të shkaktuara bëhet sipas fuqisë së pajisjeve që kanë qenë të lidhura në të zezën, në një afat prej një viti pune. Vitin e kaluar, për shembull, një biznes që është kapur duke e keqpërdorur energjinë elektrike, është detyruar t’ia rikthejë KEDS-it mbi 50 mijë euro në kuadër të llogaritjes së Rikthimit të Humbjeve”, thuhet në njoftimin e KEDS-it për media.
Megjithatë rikthimi i humbjeve nuk është pasoja e vetme me të cilën do të përballen pronarët e këtyre bizneseve.
“Tashmë pronarët e këtyre bizneseve do të ballafaqohen me një proces të pashmangshëm gjyqësor, ku do të mundë të dënohen me gjobë ose me burg deri në tri vjet. Sepse, vjedhja e energjisë elektrike, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, hyn në kuadër të Vjedhjes së Shërbimeve”, thuhet tutje në njoftim.
“KEDS shfrytëzon rastin të informojë të gjithë konsumatorët-shtëpiakë e komercialë, se ka intensifikuar kontrollet për keqpërdorimin e energjisë elektrike, ditën e natën, anembanë Kosovës’, përfundon KEDS. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?