Osmani-Vuçiqit: Viktimat e regjimit të Millosheviçiqit janë këtu, merr pak kohë e kërkoju falje

(Lajm i përditësuar)

Britania është mbështetës afatgjatë i sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës

Në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u diskutua për situatën e sigurisë.

Në fjalimin e përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, u tha se ky vend është mbështetës afatgjatë i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

“Ne jemi me përpjekjet e qeverisë për të përforcuar zbatimin e ligjit, për pronat nga viti 2016 në Deçan. Po ashtu jemi mbështetës të aspiratave edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ai.


Japonia: Personat e agresionit në Banjskë të dalin para drejtësisë

Shino Mitsuko, përfaqësuesja e Japonisë, ka bërë thirrje që të dalin para drejtësisë personat që kanë kryer agresionin në Banjskë.

“Ne pranojmë zhvillimet pozitive në Kosovë bazuar në zbatimin e ligjit, dhe stabilitetit relativ në mbarë regjionin. Ato çka ndodhën në tërësi dhe palët që i kanë kryer duhet të hetohen. Gjithashtu vëmë në pah rëndësinë e vazhdimit të palëve në dialog. Japonia kërkon nga të dyja palët të përfshihen edhe më tej në dialogun e mbështetur nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Mitsuko në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.


Osmani-Vuçiqit: Viktimat e regjimit të Millosheviçiqit janë këtu, merr pak kohë e kërkoju falje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë shumë e ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandar  Vuçiq, ajo i tha atij se duhet t’u kërkojë falje viktimave të luftës në Kosovë, duke përmendur katër heroinat Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, që ishin të pranishme sot në seancën e KS të OKB-së.

“Viktimat e atij regjimi Vuçiq janë këtu, merr pak kohë kërko falje. Tregoju të gjithë nëse ke një shenjë të humanitetit që ka mbetur në ty”, ka thënë Osmani.


Zvicra i kërkon Serbisë të mos e bllokojë Kosovën, e Kosovës të themelojë Asociacionin

Përfaqësuesja e Zvicrës në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar nga të dy palët t’i realizojnë premtimet e tyre.

Në fjalën e saj, ajo i bëri thirrje Serbisë të mos e pengojë Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“I bëjmë thirrje Serbisë që të heq çdo paqartësi në lidhje me përkushtimin e saj ndaj marrëveshjeve dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha përfaqësuesja e Zvicrës.

Po ashtu, ajo i kërkoj Kosovës “themelimin e Asociacionit pa vonesa”.


​Osmani e Vuçiq ‘përballen’ për prezencën e të mbijetuarave të luftës në KS të OKB-së

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka reaguar pas deklaratës së presidentes së Vjosa Osmanit për krimet e luftës së Serbisë ndaj grave të Kosovës.

Presidenti Vuçiq tha se në këtë mbledhje janë sjellë njerëz që nuk janë pjesë e kësaj mbledhje dhe nuk bëjnë pjesë në çështjen e kësaj mbledhje.

Ai tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka sjellë njerëz për të fajësuar Serbinë në këtë mbledhje.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i e ka quajtur përgjigjen e Vuciqit propagandë. Ajo tha se të gratë e dhunuara në Kosovë janë avokate dhe kanë kapacitet për të qenë pjesëtare të kabinetit të saj.


Rusia: Situata në Kosovë, shumë shqetësuese për neve

Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, tha se situata në Kosovë dhe rajon është “shumë shqetësuese për neve”.

“Situata vazhdon të përkeqësohet”, ka thënë ai, teksa ka vazhduar me ofendime ndaj shtetësisë së Kosovës, duke e quajtur kryeministrin Albin Kurti si “të ashtuquajtur”.

Nebenzia tha se Kosova po e pengon dialogun me Serbinë, “derisa Serbia të njohë kuazi-shtetësinë e Kosovës”.


ShBA: Serbia nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i gjetur sulmuesit e Banjskë

Zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në OKB, Robert Wood në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara tha se Serbia nuk e ka ndërmarrë asnjë përpjekje për t’i gjetur përgjegjësit e sulmit të Banjskës më 24 shtator.

“Liderin e proklamuar të serbëve Milan Radoiçiq. Është kritike që Serbia të punojë me KFOR-in për ta parandaluar edhe një sulm tjetër sikur ai i shtatorit të vitit 2023”, tha ai në fjalimin e tij.

Wood foli edhe rreth ndalimit të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kufirin me Kroacinë javën e kaluar, duke shprehur shqetësimin e madh.


Osmani i përgjigjet Vuçiqit: Pretendime të rrejshme se po diskriminohen serbët në Kosovë

Aktualisht është duke u mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila ballafaqoi presidenten Vjosa Osmani me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Osmani gjatë fjalës së saj i është përgjigjur Vuçiqit në raport me trajtimin e Serbëve në Kosovë.

“Pretendimet e Serbisë për pastrim etnik të serbëve janë të rrejshme dhe të pabaza. Këto narrativa janë diskredituar nga Komiteti i Helsinkit deri te Parlamenti i Evropës. Shteti i Kosovës jo vetëm që mbron por edhe promovon të drejtat e serbëve dhe të gjitha komuniteteve tjera”, tha Osmani.

Tutje Osmani ka përmendur rastin e Sanduloviqit dhe avokatit të tij që pasi kanë vendosur lule te varri i një vogëlushe të vrarë nga shteti serb, janë torturuar nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar me propagandën e tij në Këshillin e Sigurimit, teksa ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po i diskriminon serbët në Kosovë.

Vuçiq ka shprehur edhe njëherë shqetësimin për vendimin e BQK-së për dinarin. Ai pretendon se me këtë vendim janë prekur komunitetet joshqiptare.


Osmani: 25 vjet paslufte Kosova shkëlqen si avokate për vlera demokratike

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova 25 vjet pas luftës është duke shkëlqyer në aspektin demokratik.

“Pas 25 vjetëve Kosova shkëlqen me suksese dhe është avokate për vlerat demokratike, që vë në pah diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe përparimin e të drejtave njerëzore për të gjithë”, ka thënë presidentja.

 


Osmani: Vuçiq ka strehuar dhe mbrojtur policët që kryen krime gjatë luftës në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka deklaruar se presidenti serb, Alexandar Vuçiq ka strehuar, mbrojtur dhe promovuar policët dhe ushtarakët që kryen krime gjatë luftës në Kosovë.

Osmani tutje ka thënë se serbët e Kosovës nuk janë në ”trysni nga Qeveria e Kosovës, por nga Beogradi”.
“Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive. E ka eskaluar agresionin fillimisht me kidnapinimin e policëve, sulmin ndaj gazetarëve e sulmin terrorist ndaj Kosovës në shtator. Pas këtij sulmi, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka përdorur prani të madhe ushtarake të artilerisë me tanke e njësi të mekanizuara…Serbia bën përpjekje për të prishur integrimin e serbëve në Kosovë. Serbët në Kosovë janë nën trysni, por jo nga Kosova po nga Qeverisë e Serbisë”, është shprehur presidentja Osmani.

​Ankohet Vuçiq: Qe 11 vjet Kosova nuk po e bën Asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është ankuar se Kosova nuk po e bën Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, Vuçiq tha se se tashmë janë bërë 11 vitë nga marrëveshja për Asocacionin, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Më lejoni para se të lëviz te raporti, çka po flasim sot është t’ju kujtojmë që më 19 prill, para njëmbëdhjetë viteve prej marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, diçka që gjithashtu ka qenë pjesë përbërëse edhe bashkësia evropiane, që prej atëherë Asociacioni i komunave serbe ende nuk është në horizont”, tha ai.

Kur ka folur për çështjen e dinarit, presidenti serb ka thënë se vendimi i Prishtinës zyrtare ua ka vështirësuar përditshmërinë serbëve dhe minoriteteve tjera në Kosovë.


Vuçiq: Serbët në Kosovë po diskriminohen, për këto veprime Kurti po shpërblehet nga bashkësia ndërkombëtare

Në Këshillin e Sigurimit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ankuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i shkakton regjim komunitetit serb në Kosovë.

Vuçiq ka shtuar se serbëve po iu mohohen të drejtat nga Kurti për një agjendë “drejt Shqipërisë së Madhe”, teksa ka shtuar se veprime të Kurtit “po shpërblehen nga bashkësia ndërkombëtare”.

“Komuniteti serb s’është në gjendje t’i pranojë pagat, mëditjet e pensionet… shtypja ndaj serbëve është përforcuar nga sesioni i fundit. 16 sulme të fundit, disa me armë në Graçanicë…”, ka deklaruar presidenti serb.


Ziadeh: Pak përparim në normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi në muajt e fundit

Shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka shprehur të hënën pakënaqësinë e saj për mungesën e përparimit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit, drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Ajo i ka bërë këto deklarata në Nju Jork, në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa e ka prezantuar raportin për Kosovën.

Ziadeh ka raportuar për zhvillimet në Kosovë për periudhën 19 shtator 2023 deri më 15 mars 2024.

Sipas saj, disa herë gjatë kësaj periudhe është shënuar kthim mbrapa në normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke përmendur incidentin në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Duke përmendur votimin e djeshëm që dështoi dhe i la në detyrë kryetarët shqiptarë në veri, ajo tha se kjo “e përgatit skenën për përzgjatjen e një situate fragjile dhe të pazgjidhur”.

“Kjo fatkeqsisht tash e përgatit skenën për përzgjatjen e një situate fragjile dhe të pazgjidhur. Nga pikëpamja jonë, do të vazhdojmë ta përkrahim dialogun për të gjetur një zgjidhje konsensuale të çështjeve që kanë mbetur pa u zgjidhur”, tha Ziadeh.


Nis mbledhja e Këshillit të sigurimit

Ka filluar mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do të ballafaqojë presidenten Vjosa Osmani me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Osmani para fillimit të mbledhjes ka publikuar video adresimin e saj me Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elmaze Muçolli dhe Shyhrete Tahiri.

Back to top button