OVL e UÇK-së: Dimal Basha njihet për qëndrimet denigruese e fyese ndaj UÇK-së

(Lajm i përditësuar)


Reagon Basha: E çmoj lart luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit për liri

Kryeparlamentari Dimal Basha ka thënë se e çmon lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit për liri, në një reagim të mërkurën në mbrëmje, pas raportimeve se ai kishte shkruar para 12 vjetëve një artikull kundër UÇK-së.

Në një reagim në rrjete sociale ai i ka cilësuar shkrimet si raportime të rreme dhe sulme ndaj tij. Basha, emri i të cilit figuron në punimin “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi transnacional, Islami fundamental dhe aleancat e pashenjta”, ka thënë se përgjegjësia e tij në këtë artikull qëndron vetëm për kapitullin për depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.

“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë. Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull”, ka shkruar ai në Facebook.

Basha ka thënë se ai nuk ka bërë asnjëherë përmbajtje që bie ndesh me vlerat e UÇK-së dhe luftën për liri.

“Unë, Dimal Basha, e çmoj lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë. I kërkoj falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë, dhe prandaj lus mediat që të raportojnë drejtë dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.

Në rrjete sociale të mërkurën është nxitur diskutim mbi Bashën pas publikimit të një artikulli ku thuhet se Basha kishte shkruar kundër UÇK-së. Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar shkarkimin e Bashës, teksa ka publikuar një pjesë të artikullit. E reagim më pas pati edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së që ka vlerësuar se është “e pafalshme që Kuvendi të udhëhiqet nga një njeri që ka fyer e sulmuar UÇK-në dhe dëshmorët”.


OVL e UÇK-së: Dimal Basha njihet për qëndrimet denigruese e fyese ndaj UÇK-së

OVL e UÇK-së e ka quajtur të papranueshme zgjedhjen e Dimal Bashës kryetar të Kuvendit të Kosovës. Përmes një reagimi, organizata ka shprehur se “është e pafalshme” që Kuvendi të drejtohet nga një njeri që ka fyer e sulmuar UÇK-në dhe dëshmorët.

Sipas OVL-së, zgjedhja e Bashës është njollë dhe goditje për vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.

“Ky person njihet për qëndrimet e tij denigruese dhe fyese ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si të lidhur me krimin dhe duke njollosur sakrificën më të madhe të popullit tonë… Këtu lind pyetja për deputetët që e votuan këtë kandidat, përtej Lëvizjes Vetëvendosje: Si munde ta votosh dhe t’i jepni besimin një personi që vazhdimisht ka qenë kundër UÇK-së?” thuhet në reagim.

Në rrjete sociale të mërkurën është nxitur diskutim mbi Bashën pas publikimit të një artikulli ku thuhet se Basha kishte shkruar kundër UÇK-së. Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar shkarkimin e Bashës, teksa ka publikuar një pjesë të artikullit.

“Kosova jonë kishte dhe ka ‘kontribuues’ si Dimal Basha, por si këto dy faqe që dëshmojnë thellësinë e gënjeshtrës, seriozitetin e mashtrimit dhe antikombtarizmit, nuk mund të gjenden nga autorë shqiptarë”, ka shkruar Lladrovci.

Back to top button