Pacientët marrin infuzion në korridor! Infektivit i mungojnë hapësirat

Ky është reparti infektiv në Kumanovë. Pacientët trajtohen në korridor, për shkak mungesës së hapësirave.
Në korridor janë vendosur shtretër ku marrin infuzion pacientë të infektuar, por edhe ata që ende po presin rezultatin e testit.
Mjeku Aliriza Osmani thotë se janë pacientë që marrin terapi ditore ose ata që vijnë për kontrolle dhe që nuk janë testuar.
“Ata janë ata të cilët marrin terapi ditore ose eventualisht në qoftë se vjen kontrollohet dhe ka nevojë të vendoset një terapi për shkak lodhjes apo plogështisë së pacientit. Kemi shume prej tyre  të cilët nuk janë të testuar”, tha Osmani.
Janë rreth 50 pacient që po trajtohen. 18 janë në repartin infektiv, 33 në atë modular, ndërsa mbi 60 vijnë për terapi ditore. E përveç mungesës së hapësira, infektivit në Kumanovë i mungon edhe personeli mjekësor.
“Personeli është, disa të infektuar disa të lodhur disa për shkaqe tjera dhe numri i mjekëve dhe personelit mjekësor dhe shëndetësor në përgjithësi dhe motrave është jo i mjaftueshëm sipas fluksit të pacientëve“, tha Osmani.
Mjeku Osmani si mënyrë për të zbutur pandeminë e sheh vaksinimin, andaj apelon për imunizim. Valdrin Miftari nga Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë tregon se deri më tani janë dhënë 104 mijë doza,  prej të cilave 48 mijë janë si dozë e parë, 46 mijë si dozë e dytë dhe mbi 6500 janë si dozë e tretë. Më i riu që ka pranuar dozën e tretë është i moshës 13 vjeç.
”Interesim për dozën e parë le për tu dëshiruar është shumë i vogël çka d.m.th interesimi është më i madh për dozën e tretë pasi që shumë shtete kërkojnë në pikat kufitare si dëshmi vaksinimin me dozë të tretë”, sqaroi Miftari.
Gjatë muajit janar pika e vaksinimit, për shkak numrit të kufizuar të personelit mjekësor, ka punuar vetëm me një ndërrim nga e hëna deri të premten, ndërsa pritet që shumë shpejt të fillojë punë edhe të shtunave./TV21

Back to top button