Pacolli: Çdo parakusht që i vendoset Kosovës për KiE është i papranueshëm

Qeveria është e bindur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për të qenë anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Përfaqësuesit e partisë në pushtet thonë se çdo parakusht tjetër duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit është i papranueshëm. Ndërkohë, në opozitë kërkojnë lëvizje të Qeverisë në këtë drejtim duke vlerësuar se po rrezikohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Analistët e shohin si sfidë kryesore themelimin e Asociacionit për anëtarësim në Këshillin.
Në prag të anëtarësimi të Kosovës në Këshillin e Evropës, presioni ndaj Qeverisë për themelimin e Asociacionit është shtuar. Ambasadorët e vendeve të QUINT-it gjatë ditës kanë zhvilluar takim me kryeministrin, Albin Kurti. Ky takim vjen në një kohë kur BE-ja dhe SHBA-ja po i kërkojnë Qeverisë hapa konkret për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Fitore Pacolli, tha se çdo kusht tjetër është i papranueshëm.
“Çdo parakusht tani që i vendoset Kosovës është i papranueshëm. Ne kërkojmë që Kosova të pranohet në Këshill pa parakushte. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara”, tha Pacolli.
Partitë opozitare e quajnë të pashmangshëm obligimin e Qeverisë për themelimin e Asociacionit për shkak, siç thonë, kryeministri Kurti ka pranuar zbatimin e asociacionit përmes marrëveshjes në Bruksel dhe aneksit të Ohrit.
Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Ariana Musliu, tha se Kosova është shumë afër anëtarësimit në Këshill të Evropës.
“Kosova kurrë më afër nuk ka qenë për anëtarësim në Këshillin e Evropë. Të ndërmerren masat nga Qeveria që të arrijmë këtë sukses final. Kurti ka premtuar se do të bëjë një zgjidhje për asociacionin”, tha Musliu.
Vendimin e Qeverisë për dhënien e 24 hektar tokë Manastirit të Deçanit faktori ndërkombëtarë e kishte konsideruar hap të rëndësishëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Por, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, tha se sfidë kryesore po del të jetë Asociacioni bazuar në kërkesën e fundit të faktorit ndërkombëtar.
“Në bazë të komunikimeve që ka pasur faktori ndërkombëtar me Qeverinë është kërkesa për themelimin e Asociacionit. Kjo është sfida kryesore për Kosovën që të bëhët pjesë e Këshillit të Evropës”, tha Sadiku.
Përveç Asociacionit sfidë tjetër për Qeverinë deri tek anëtarësimi në Këshillin e Evropës konsiderohet të jetë edhe miratimi Kodit Civil i cili i mundëson martesat e gjinisë së njëjtë. Kryeministri Kurti gjatë një vizite në Berlin së fundmi kishte premtuar se do të punojë për t’i bindur disa deputet të partisë së tij për votimin këtij ligji, por ende nuk i ka arritur votat e nevojshme./RTV21/21Media