Pacolli-Guterresit: Kosova gati për OKB, Serbia po pajtohet me të vërtetën

Pacolli i drejtohet me letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara

Ministri i Punëve të Jashtme, Bahgjet Pacolli sot ka njoftuar se i ka dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres.

Pacolli në këtë letër ka thënë se ka shkruar, që jemi të inkurajuar me zhvillimin në lidhje me diskutimet më të rralla pranë Këshillit të Sigurimit për Republikën e Kosovës.

“Me përparimet që ka bërë Kosova përgjatë viteve, po fillon perspektiva e anëtarësimit në një të ardhme të shpejtë, të Republikës së Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Ai tha se Sekretarin e Përgjithshëm, Guterres e ka informuar që anëtarësimi në OKB, është veçanarisht i mundshëm tani, për siç ka thënë Pacolli për faktin se Serbia, ndonëse me vështirësi, së voni ka filluar të shfaqë sinjale të hershme, që është e interesuar të ecë përpara dhe të pajtohet me të vërtetën e afirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me Opinionin e 22 Korrikut, 2010, me të cilin konfirmohet se shtetësia e Republikës së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën publike ndërkombëtare.

“Po ashtu, Sekretarit Guterresi i kërkova vëmendje të shtuar ndaj Opinionit të GjND-së, si institucioni më i lartë i drejtësisë i OKB-së, Opinion i cili ka kuptimin e Njohjes Kolektive, dhe i cili është baza mbi të cilën Asembleja e Përgjithshme e OKB-së, ka ftuar në dialog të ndërmjetësuar nga BE. Pra nënkuptohet, se Rezoluta e Asemblesë së OKB-së, 64/298, e 9 Shtatorit, 2010, afirmoi fuqishëm shtetësinë tonë”, ka shkruar ministri Behgjet Pacolli.

Gjithashtu Behgjet Pacolli ka treguar se në letër ka theksuar se Opinioni i GjND-së, i ka mundësuar Serbisë të shoh këtë të vërtetë, veçanarisht në lidhje me atë se qëndrimi i saj diplomatik ndaj shtetësisë sonë, kërkohet që patjetër të ndryshojë.

“Në qasjen time e informoj Sekretarin e Përgjithshëm, se tashmë me dialogun politik, me qëllim të përmbylljes së Marrëveshjës Gjithpërfshirëse, Ligjërisht, Ndërkombëtarisht Obligative, kemi ardhur në momentin e njohjes reciproke si dy vende të pavaruara”, ka shkruar tutje ai.

Zëvendëskryeministri Pacolli përmes “Facebook-ut” po ashtu tha se sekretarin Guterres e ka informuar që Republika e Kosovës synon anëtarësimin në OKB.

“Për këtë qëllim ne jemi të gatshëm të investojmë në potencialin tonë për të përkrahur nisma dhe misione të OKB-së, në funksion të paqës dhe stabilitetit për të gjithë”, ka përfunduar Pacolli./21Media

Back to top button