Pacolli: Mitrovica është kthyer në binarë të drejtë

Pacolli e ka vlerësuar si të suksesshme qeverisjen e Agim Bahtirit në komunën e Mitrovicës

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka vizituar të mërkurën qytetin e Mitrovicës, ku së bashku me kryetarin Agim Bahtiri, janë takuar me qytetarët e kësaj komune për t’u njohur nga afër me të arriturat e deritashme këtu, por edhe vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohen ata.

Fillimisht i pari i këtij qyteti, Agim Bahtiri, para kryetarit të tij partiak, por edhe qytetarëve të pranishëm, ka raportuar për të arriturat gjatë kohës së tij në pushtet. Ai duke potencuar se ka gjetur një gjendje të përgjithshme të rëndë në këtë komunë, si ekonomike, politike e të ngjashme, tha se me punën dhe angazhimin e tij të deritashëm, kjo gjendje ka ndryshuar pothuajse tërësisht.

 

Fixhrie Bahtiri, shefe e Grupit Parlamentar të AKR-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, njëherësh motra e kryetarit Bahtiri, ka falënderuar presidentin Pacolli për përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj qytetit të Mitrovicës dhe qytetarëve të saj.

Sipas saj, është punuar shumë në mirëqenien e qytetarëve, ndërsa rrugën të cilën e trasoi presidenti Pacolli, e ka vazhduar me sukses edhe kryetari Bahtiri në Mitrovicë.

 

Në anën tjetër, presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, takimin e sotëm me qytetarë e ka quajtur vazhdimësi e programit të suksesshëm për Mitrovicën. Ai u shpreh po ashtu mirënjohës për kryetarin Bahtiri dhe punën e tij, për të cilin tha se ka mbajtur fjalën dhe ka arritur me sukses të realizojë qëllimet e veta për të mirën e qytetit të Mitrovicës dhe qytetarëve të saj.

 

“Unë sot e them me plot gojë se punët të cilat janë bërë në Mitrovicë janë punë të dinjitetshme, punë që mund të ndodhin vetëm e vetëm nëse dikush e do punën, nëse promotori i këtyre punëve është një njeri që ka shpirt dhe e do punën, e kjo ka ndodhur në Mitrovicë. Unë i kam parë edhe trotuaret në Mitrovicë, sheshin, po i shoh edhe punët tjera, e di angazhimin e kryetarit që ka bërë edhe në këtë sferën tjetër ndërkombëtare për hapjen e urës, dhe të gjitha ato vuajtje që ka bërë që sot kjo urë të rindërtohet dhe të jetë simbol i paqes dhe të mirës. Sot kemi një qytet modern, ku kryetari thotë se sot këtu vinë pëllumbat, është shumë e vërtetë pëllumbat vinë aty ku ka paqe, ku ka shpirt, dhe ky qytet është duke marr shpirtin. Siç po e shihni, ka shumëçka për t’u vizituar sot në Mitrovicë, dhe sinqerisht shumë qytete e komuna në Kosovë ua kanë lakmi. Ju them se nuk është bërë as nisma e a saj çka në të vërtetë ky qytet dhe qytetarët e saj meritojnë. Mitrovica sot është kthyer në binarë të drejtë dhe ju e dini se nëse diçka është në binarë të drejtë, atëherë duhet edhe pak shtyrje, dhe punët do të shkojnë shumë mirë”, ka thënë Pacolli.

Pacolli së bashku me Bahtirin dhe bashkëpunëtorët tjerë, është njoftuar nga afër edhe me projektet e rëndësishme të qytetit të Mitrovicës, siç janë Qendra Tregtare, Kompleksi Multifunksional Sportiv, sheshi kryesor, punimet në urën kryesore mbi Ibër etj., ndërsa gjatë vizitës në Fabrikën e kërpudhave ‘Hirano’ në fshatin Gushavc, takoi një delegacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë.

Back to top button