Pacolli ofron shpërblim për këdo që jep informacion për të dyshuarin e vrasjes së 18 vjeçares
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, sot ka bërë të ditur se kushdo që i jep informacion Policisë që çon në arrestimin e vrasësit të 18 vjeçares në Ferizaj, do të ofrojë shpërblim.
Pacolli ka theksuar se është shumë i trishtuar nga kjo ngjarje e rëndë.
”Unë ofroj shpërblim për këdo që i jep informacion të vlefshëm Policisë së Kosovës që çon në arrestimin e vrasësit të Marigonës. Si baba i tre vajzave, ndihem i trishtuar për këtë ngjarje të rëndë”, ka shkruar Pacolli në ”Facebook”.
Ndryshe, një person është arrestuar dhe një tjetër është në kërkim nga policia lidhur me vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj. Krerët institucionalë kanë reaguar duke kërkuar nga autoritetet e drejtësisë që të merren me urgjencë me rastin, ndërsa organizatat e ndryshme kanë kërkuar më shumë angazhim nga shteti për të mbrojtur jetën e femrave.
Lidhur me këtë rast, sot në orën 12:00 do të mbahet protestë në Ferizaj./21Media