Pacolli për arrestimin e Molliqajt: Lajm i keq për demokracinë kosovare
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, sonte ka reaguar pas pas arrestimit të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj.
Pacolli ka deklaruar se arrestimi i Molliqajt është i padrejtë dhe i panevojshëm.
Sipas tij, arrestime të tilla nuk shihen në demokraci.
“Ky është lajm i keq për demokracinë kosovare. Solidarizohem gjithmonë me policinë e Kosovës por jo edhe me politizimin e saj. Une jam i bindur se po të kishte ftesë Molliqaj vet do të lajmërohej aty ku do të ftohej.”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj është arrestuar sonte nga Policia e Kosovës. Ai është arrestuar derisa ishte duke shkuar në një emision televiziv.
Molliqaj është ndaluar nga disa pjesëtarë të policisë, të cilët e kanë futur në veturë.
Kreu i PSD-së kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës. Molliqaj kishte thënë në lidhje me incidentin se përgjegjësia i bie atij, porse ai ishte ofenduar me fjalë nga zyrtarët policorë./21Media