Pacolli: Ushtria ngrit kapacitetet në ndërtimin e një ambienti të sigurt

Pacolli ka treguar hapat konkret që Kosova bashkë me SHBA-në ka ndërmarrë në vazhdimësi

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngrit ndjeshëm kapacitetet e vendit tonë në ndërtimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt. Kështu ka thënë ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në adresimin e tij para rreth shtatëdhjetë ministrave të jashtëm nga e gjitha bota, që përfaqësonin vendet e tyre në ministerialin e Koalicionit Global kundër ISIS-it, që po i zhvillon punimet në Uashington D.C.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryediplomati kosovar Pacolli ka treguar hapat konkret që shteti i Kosovës bashkë me SHBA-në ka ndërmarrë në vazhdimësi në këtë drejtim.

Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësve nga e gjithë bota i është drejtuar edhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëhet e ditur në njoftimin e MPJ-së.

Pacolli po qëndron për vizitë në SHBA, ku dje mori pjesë në hapje të punimeve të ministerialit të shteteve anëtare të Koalicionit Global kundër ISIS-it. Ndërkaq, nesër Pacolli do të marrë pjesë në ‘Lutjet e Mëngjesit’.

Ceremonia e Lutjeve të Mëngjesit drejtohet nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si dhe shërben si takim ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga mbi 130 vende të botës, si senatorë, kongresistë amerikanë, anëtarë të qeverisë amerikane, zyrtarë të lartë të administratës dhe pe rsonalitete të ndryshme të botës nga fusha e artit, kulturës dhe shkencës./21Media

Back to top button