Haradinaj: Kosova, vend i përshtatshëm për investime në bujqësi

Haradinaj tha se Ligji për Investime po sjell rezultat

Investimet e huaja do të gjejnë një partner të rëndësishëm në Kosovë, e që është Qeveria e Kosovës dhe e cila do të jetë përkrahëse e fuqishme e tyre. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim përfaqësuesit e Growponics Kosova, kompani kosovare me partnerë nga Izraeli dhe Anglia, nga të cilët u njoftua për investimin në projektin e serrave hidroponike për kultivimin e perimeve.

Me këtë rast është bërë e ditur se sektori në të cilin Growponics Kosova do të investojë është sektori i Bujqësisë dhe Industrisë së Kosovës, në rajonin e Gjakovës në vlerë prej mbi 10 milionë euro në mbi 5 hektarë tokë.

Haradinaj tha se Ligji për Investime Strategjike tashmë po tregon rezultatet e para duke sjellë investime të huaja direkte në vend, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

“Pas investitorit të parë strategjik që e ka shpallur Qeveria e vendit, tani po shohim çdo herë e më shumë interesim për të investuar në Kosovë. Ne kemi krijuar klimë të përshtatshme administrative dhe vendi ofron resurse të shumta natyrore dhe njerëzore, të cilat mund t’i kthejmë dhe do të angazhohemi që t’i kthejmë në parametra ekonomik”, tha kryeministri Haradinaj, duke përmendur faktin që vetëm ky investim në bujqësi do të rrisë numrin e të punësuarve deri në 130 dhe do të rrisë eksportin e produkteve tona në vendet evropiane.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e këtij investitori potencial njoftuan për fazat që do të realizohet ky investim, duke theksuar po ashtu se shitja do të realizohet në tregjet evropiane, njëkohësisht duke e zhvilluar dhe zgjeruar kooperimin me fermerët lokal dhe regjional. Pjesë e këtij takimi ishin edhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini.

Pas këtij takimi, Haradinaj në Facebook shkroi se me këtë investim do të krijohen 130 vende të punës dhe do të rriten kapacietet eksportuese në Kosovë.

Back to top button