Paditet Uber, 550 gra pretendojnë se u sulmuan seksualisht nga shoferët

Uber është paditur në SHBA nga 550 gra që dyshohet se janë sulmuar nga shoferët e kësaj platforme.
Në dokument thuhet se gratë pasagjere “janë rrëmbyer, sulmuar seksualisht, dhunuar seksualisht, përdhunuar, burgosur në mënyrë të rreme, përndjekur, ngacmuar ose sulmuar ndryshe nga shoferët e Uber”.
Çështja u depozitua në Gjykatën e Lartë të Qarkut të San Franciskos të mërkurën.
“Sulmi seksual është një krim i tmerrshëm dhe ne e marrim seriozisht çdo raportim”, tha një zëdhënës i Uber për BBC.
“Nuk ka asgjë më të rëndësishme se siguria, prandaj Uber ka ndërtuar veçori të reja sigurie, ka vendosur politika të përqendruara te të mbijetuarit dhe ka qenë më transparent në lidhje me incidentet serioze. Ndërsa ne nuk mund të komentojmë mbi çështjet gjyqësore në pritje, ne do të vazhdojmë ta mbajmë sigurinë në zemra e punës sonë”, shtuan ata.
Ankesa, e paraqitur nga avokatët në firmën ligjore Slater Slater Schulman, pretendon se të paktën 150 raste të tjera të mundshme po “hetohen në mënyrë aktive”.
Padia pretendon se qysh në vitin 2014 Uber u bë i vetëdijshëm se drejtuesit e saj po sulmonin dhe përdhunonin seksualisht pasagjeret femra.
Muajin e kaluar, Uber publikoi Raportin e dytë të Sigurisë në SHBA, i cili tregoi se kishte 998 incidente të sulmeve seksuale, përfshirë 141 raporte përdhunimi, në vitin 2020.
Në raport, kompania tha se kishte marrë gjithsej 3,824 raporte për pesë kategoritë më të rënda të sulmeve seksuale midis 2019 dhe 2020.
Raporti i parë i sigurisë i firmës, i cili detajon incidentet nga viti 2017 deri në vitin 2018, gjeti 5,981 raportime për sulme seksuale.
Kategoritë më serioze të sulmeve seksuale të Uber-it variojnë nga “puthja jo-konsensuale e një pjese të trupit” deri te “depërtimi seksual jo-konsensual” ose përdhunimi.
Ajo që e bën padinë edhe më të dëmshme për Uber është se mund të shihet se ofron akoma më shumë prova të një kulture toksike në kompani.
Të hënën, një ish-ekzekutiv i Uber doli me akuza të shumta për keqpërdorim.
Midis provave që ai zbuloi, se Uber kishte një ‘çelës vrasësi’ – që mund të ndizet nëse forcat e rendit do të trokasin – që do të pengonte policinë të gjente informacion./21Media

Back to top button