“Paga minimale mbetet peng në Gjykatën Kushtetuese”

Ligji për pagën minimale i cili nga ana e qeverisë u konsiderua si një sukses hasi në kundërshtime dhe pakënaqësi të shumta. Paga minimale në  vlerën prej 264 u konsiderua e padinjitetshme dhe kësisojë përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.

Kryetari i sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemi thotë se qeveria nuk i konsultoi fare kur morri vendimin dhe sipas tij shuma prej 264 nuk i plotëson as nevojat elementare për jetesë.

“Realisht ligji për pagën minimale është ligj i vitit 2011 paga minimale ka shku në Gjykatën Kushtetuese paga e aprovuar në parlamenti nuk është reale dhe legjitime gjith ky inflacion gjith kjo krizë dhe ikja e punëtorëve nga Kosova është pjesë përbërëse e këtij ligji, në si partner nuk jemi pyetur fare nuk u morr parasysh komisioni për financa, nuk u morr parasysh asgjë dhe presim të rrëzohet nga Gjykata.”, tha Azemi.

Ministri i financave Hekuran Murati, javë më parë akuzoi opozitën për qasje kundërshtuese ndaj ligjeve që siç tha ai janë në të mirë të qytetarëve dhe se me dërgimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese po i mbanë peng vetë qytetarët. Mirëpo deri më tani ende nuk ka një vendim të kushtetueses për këtë ligj. Ish nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, shpjegoi vonesat në vendime të  kësaj gjykate.

“E para është se GJK është shkalla e fundit e një kërkese, një ankese që bajnë qytetarët nuk ka mundësi të bëhet ankesë diku tjetër deri sa të hyjmë në Këshillin e Evropës, e dyta duhet me pasë shumë kujdes sepse vendimet  dhe aktgjykimet janë shumë voluminoze nuk ka ankesë nën 40 faqe, tjetra duhet marrë mendimi i të gjithë të pakënqaurve…”, deklaroi Kryeziu.

Profesori i ekonomisë Mustafë Kadriaj, vlerëson se qeveria ka shumicën absolute në kuvend dhe për këtë arsye nuk e përfillët asnjë kërkesë e sindikatave.

“Komodi teti i numrave në kuvend ka bërë që qeveria të mos përfillë asnjë sindikatë duke filluar nga sindikatat e sektorit publik por edhe sektorit privat dhe qeveria ka bërë që të dalë sa ma leht në anën financiare dhe të mos ngarkohet ….”, tha Kadrijaj.

Aktualisht paga minimale në Kosovë, është 130 për personat deri në moshën 35 vjeç dhe 170 euro për personat deri në 65 vjeç.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat./21Media

Back to top button