Pak interes për studime në Albanologji/ Përgjegjësi i katedrës problemin e sheh tek ekonomia e tregut

Ka rënë interesi i studentëve për t’u regjistruar në degën e albanologjisë në Fakultetin Filologjik pranë Universitetit Shën “Kirili dhe Metodi”. Përgjegjësi i katedrës, profesori Ismet Osmani tha se në krahasim me vitet e kaluara, numri i regjistrimeve sivjet ka rënë, e kjo sipas tij, edhe për shkak të tregut aktual të punës.

“Ndikon edhe ekonomia e tregut, ku një numër i madh i studentëve regjistrohen në Fakultete të teknikës, sidomos në studimet e informatikës. Pastaj një pjesë e tyre studiojnë në Fakultetin Ekonomik, Juridik dhe me radhë. Kështu që një numër i vogël i studentëve mbetet që të studiojnë në Fakultete të tjera. Kuptohet edhe probleme të natyrave të ndryshme, qofshin ato demografike apo që përmendët edhe ju që largohen dhe shkojnë jashtë”, deklaroi Ismet Osmani, profesor dhe përgjegjës i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Osmani tregoi se të diplomuarit për gjuhë dhe letërsi shqipe kanë mundësi të shumta punësimi.
“Pjesa dërmuese e atyre që kryejnë gjuhë dhe letërsi punojnë edhe në gazetari, një pjesë e tyre punojnë edhe redaktorë gjuhësor ose korrektorë në shtëpi botuese dhe kështu me radhë. Domethënë ka vende ku ata mund të gjejnë veten për t’u punësuar pas kryerjes së fakultetit”, u shpreh Ismet Osmani.
Profesori Osmani u bëri thirrje të rinve që të studiojnë gjuhën dhe letërsinë shqipe, si pasuri kombëtare, mësime e studime, të cilat më pas do tu përcillen brezave të ardhshëm, raporton TV21./21Media

Back to top button