Pak oferta, shumë përplasje politike

Kanë mbetur edhe rreth pesë ditë deri në përfundimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa monitoruesit e procesit vlerësojnë se deri më tani fushata është zhvilluar pa shkelje të rënda që do të cenonin integritetin e zgjedhjeve. Megjithatë, sipas hulumtuesit në zyrën ligjore të Institutit Demokratik të Kosovës,Vullnet Bugaqku, janë evidentuar disa parregullsi, si përdorimi i fëmijëve në tubime zgjedhore dhe vendosja e posterëve në hapësira të institucioneve publike.
“Deri më tani nuk ka pasur shkelje të rënda të rregullave dhe të kodit të mirësjelljes së subjekteve politike të cilat i përcaktojnë kushtet dhe rrethanat se si duhet të sillet subjektet politike, kandidatët dhe mbështetësit e tyre gjatë fushatës zgjedhore. Çka kemi vërejtur si organizatë është se ka pasur përdorim të fëmijëve gjatë fushatës zgjedhore dhe jo vetëm nga një parti politike por edhe në tubimet e disa partive të tjera gjë që është në kundërshtim me rregullat e KQZ-së. Janë vërejtur vendosje të disa posterëve në disa hapësira të institucioneve publike. Mirëpo çka është vërejtur gjuha që është përdorur nuk është gjuhë që i plotëson rrethanat e gjuhës nxitëse dhe urrejtëse. Deri më tani as zyrtarisht që partitë politike kanë deponuar ankesë ndaj njëra tjetrës. Është një numër i kufizuar të cilat nuk e cenojnë integritetin e zgjedhjeve.”, tha Bugaqku për rtv21
Ndërsa, kanë mbetur vetëm pak ditë deri në përfundim të fushatës zgjedhore, njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se partitë politike nuk po fokusohen sa duhet në shpalosjen e programeve të tyre. Sipas Blerim Canajt, fushata po dominohet nga figurat e liderëve dhe nga retorika përçarëse mes kampeve politike.
“Shumë pak kemi të bëjmë me shpalosje të programeve pasi që edhe ato programe që janë, janë të njëjta të cilat i kemi dëgjuar edhe më parë. Duket sikur partitë politike e kanë kuptuar apo i është dukur sikur qytetari nuk e voton programin por personin apo liderin. Prandaj fushata më shumë është fikusuar në ndarjen në ne dhe ata, ne të mirët dhe ata të këqinjët.”, tha Canaj
Njohës të proceseve zgjedhore po ashtu vlerësojnë se fushata në terren e fokusuar më shumë në diskurësin e hedhjes së fajit të ndërsjellë për bllokadën politike e cila e coi vendin në zgjedhje. Megjithatë analistëve nëse fokusi partive nuk është për bashkëpunim, bllokadë politike mund të ketë edhe pas zgjedhjeve.
“Nuk është që po promovojnë shumë ide programore të tyre në fusha të caktuara. Kryesisht partitë politike po merren me tema më të përgjithshme dhe me tema që kanë të bëjnë me fajësimin e njëra tjetrës të shkuarjes së vendit në zgjedhje parlamentare dhe jo të elaborimit të programeve të tyre politike. Pres që partitë politike të ofrojnë më shumë informata për qytetarët sa i përket programit të tyre.”, u shpreh Bugaqku.
Blerim Canaj, analist politik
“Pas zgjedhjeve gjithca do të varet nga numri i deputetëve në Parlament që do të marrin subjektet politike. Nëse kemi përqindje të përafërta si në të kaluarën ne mund të kemi sërish bllokadë.”, shtoi Canaj
Sipas vlerësimeve të analistëve, për të shmangur një krizë të re institucionale, partitë politike do të duhet të tregojnë gatishmëri për bashkëpunim dhe kompromis pas përfundimit të procesit zgjedhor./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?