Palmer takohet me Haradinajn: Kosova është me fat që gjendet përkrah Amerikës

 

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot, është takuar me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer. Në një postim në Facebook, Haradinaj njoftoi se në takim është diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

“Kosova ka treguar maturi në funksionim dhe konsolidim të demokracisë, në standardet më të larta dhe është e palëkundur në raportin bilateral dhe strategjik, si dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj.

Në takim Haradinaj ka ritheksuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj që roli amerikan në dialog është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke.

“Gjithashtu, ritheksova nevojën e perspektivës euroatlantike të Kosovës dhe antarësimin e saj në NATO. Kosova është me fat që gjendet përkrah Amerikës, shtet që përkrahu çlirimin dhe ndërtimin e shtetësisë tonë, që edhe më tutje është aleati jonë strategjik dhe partneri më i besueshëm”, ka shkruar Haradinaj.

Në takim ishte edhe ambasadori, Philip S. Kosnett./21Media

Back to top button