Panairi s’mbahet as këtë vit, botuesit kërkojnë heqjen e TVSH-së

Pavarësisht lirimit të masave antiCOVID gjatë verës, as këtë vit nuk u lejua që të mbahet panairi i librit në Prishtinë. Ky është viti i dytë me radhë që Kosovës po i mungon organizimi më i madh kulturor, i cili mbledhë në një vend botuesit, librashitësit dhe lexuesit.
Ani pse pati lehtësime të shumta të masave, ku për një kohë u lejuan edhe dasmat dhe klubet e natës, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, tha se e njëjta nuk ndodhi me panairin.
Derisa tha se ata që pësuan më shumë janë botuesit e vegjël për shkak të pamundësisë së shitjes online, ndërsa apelon Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që t’i ndihmojë këta të fundit. Ndërkohë që theksoi se ndihma më e madhe e Qeverisë për të gjithë botuesit pa përjashtim do të ishte heqja e TVSH-së.
Ai theksoi se këtë vit kishin bërë të gjitha përgatitjet që panairi të mbahej, por që vala e re e pandemisë e shkaktuar nga varianti Delta përfundimisht pamundësoi një gjë të tillë.
”Sivjet, ne i kishim bërë përgatitjet që panairi të mbahej, duke shpresuar që numrat nuk do të vazhdonin të ishin të njëjtë sikur gjatë verës. Tash me këtë shpërthimin e variantit delta, praktikisht e pamë që është e pamundur. Por, në asnjë moment, si gjatë vitit të kaluar, si gjatë këtij viti, neve nuk na është lejuar mbajtja apo organizimi i një ngjarjeje të tilla sepse siç e dimë Panairi i Librit në ambientet ku organizohet mbledhë një numër të madh të njerëzve në ambient të mbyllur dhe me masat që ishin në fuqi, një gjë e tillë nuk lejohej. Si duket problemi jonë, në Kosovë, është fakti që ne ende nuk kemi një ambient të përshtatshëm, vazhdojmë të jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk e ka një hapësirë të denjë për organizimin e panaireve”, tha ai.
Marrë parasysh mënyrën e menaxhimit të pandemisë, Zeneli tha se ka pasur diskriminim në raport me kulturën dhe sportin në vend. Megjithatë shtoi se botuesit nuk janë të interesuar të kontribuojnë në zgjerim të pandemisë, andaj kanë treguar mirëkuptim për mosmbajtjen e panairit.
”Është një lloj diskriminimi në raport me librin… Gjatë gjithë kësaj kohe janë lejuar dasmat, klubet e natës, janë lejuar evenimentet e tjera, të cilat përgjithësisht kanë karakter ekonomik, dhe në anën tjetër nuk janë lejuar të mbahen organizime kulturore, nuk janë lejuar organizimet sportive. Unë mendoj që për një shoqëri sa është… i rëndësishëm shëndeti në kuptimin primar, edhe shëndeti ekonomik, po aq i rëndësishëm është edhe shëndeti kulturor dhe sportiv. Ne kemi parë një diskriminim në raport me kulturën dhe sportin e këtij vendi, dhe do të duhej që të tentohej të ishte më e barabartë. Nuk kemi hasur në vendime që e kanë trajtuar librin, sportin dhe kulturën përgjithësisht në raport të njëjtë me dasmat, klubet e natës ose gastronominë. Kjo në parim mendoj që është gabim”, shtoi Zeneli.
Ai foli edhe për situatën e botuesve karshi pandemisë, për çka thotë se në krahasim me ekonomitë tjera e kanë përballuar pak më lehtë, në përjashtim të botuesve të vegjël.
”Mund të themi që deri diku fusha e librit është fusha që është prekur më pak. Numrat që vijnë nga botuesit janë negativ, kjo nuk do të thotë që kemi kaluar lehtë as ne. Në raport me ekonomitë tjera, botuesit kanë kaluar më lehtë. Në këtë drejtim, janë botuesit e vegjël ata që kanë pasur pasoja më të mëdha, për faktin që nuk kanë pasur një sistem të zhvilluar të shitjes online. Do të thotë, sikurse në Kosovë, edhe në Shqipëri botuesit e mëdhenj dhe libraritë kanë ofruar mundësinë e shitjes online dhe kanë arritur që edhe kësaj kohe të jenë afër me lexuesin. Por, janë botuesit e vegjël që në pamundësi të mbajtjes së panairit si në Kosovë, si në Shqipëri, kanë pasur të hyra më pak dhe kjo pastaj ka reflektuar në botime më të pakta në numra”, tha ai.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës shtoi se karantina ka ndikuar që njerëzit të lexojnë më shumë. Ndërkohë që e sheh të nevojshme ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për botuesit që pësuan nga pandemia. Sipas tij kërkesat e botuesve mbesin të njëjta tash e sa vite, derisa thekson se largimi i TVSh-së do të ishte ndihma më e madhe nga Qeveria në raport me qarkullimin e librit.

Back to top button