Pandemia vështirësoi procesin mësimor për nxënësit e komunitetit turk

Mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë COVID-19, ka shkaktuar probleme edhe te nxënësit e komunitetit turk në Kosovë. Ndërprerja e internetit dhe mungesa e pajisjeve teknologjike për të ndjekur mësimin, janë problemet me të cilat janë përballur gjatë kohës së mësimit në distancë.
Mësimi për shkak të pandemisë COVID-19, në vend është ndërprerë më 11 mars 2020, ndërsa tek më 30 mars 2020, ka nisur mbajtja e mësimit nga distanca për nxënësit e komunitetit turk, ku fillimisht njësitë mësimore janë transmetuar përmes Radio Televizionit të Kosovës, e më pastaj ka filluar mbajtja e mësimit online përmes platformave të ndryshme.
Tuana Muja është nxënëse e klasës së shtatë në shkollën “Emin Duraku”, në Prizren. Ajo tregon se ndërprerja e internetit ka qenë problemi kryesor që e ka pasur gjatë mbajtjes së mësimit online.
“Unë nuk kam pasur ndonjë problem në qasje në mësimin online, por ndonjëherë për shkak se jemi shumë nxënës interneti nuk ka punuar, ndonjëherë nuk ka ardhur mirë zëri i mësueses, ndonjë shok nuk ka marrë pjesë në mësim. Sa ka qenë efektiv mësimi online është temë për diskutim…Kemi pasur problem për të kuptuar profesorin për shkak të problemeve teknike të internetit dhe zëri nuk ka ardhur mirë, por profesori në fund të mësimit ka dërguar detyrat për neve dhe ne kemi kryer detyrat dhe i kemi dërguar mësueses përmes fotografive”, thotë ajo.
Përveç nxënësve, mbajtja e mësimit online ka qenë sfidë edhe për vet mësimdhënësit, e sidomos për ata të cikleve të ulëta.
Nese Tabaku Gasi, mësuese në shkollën fillore “Emin Duraku”, thotë se sfidë ka qenë mbajtja e mësimit me nxënësit e klasës së parë dhe të dytë, pasi që shpesh herë nuk kanë mundur të zhvillojnë mësimin për shkak të zhurmës së krijuar.
“Në kohën e pandemisë ne për herë të parë kemi dëgjuar për mësimin online, kjo edhe për neve edhe për nxënësit ka qenë një temë e re. Ne si shkollë për herë të parë kemi përdorur platformën Microsoft Teams për mësimin online dhe në këtë platformë mësimin e kemi mbajtur me sukses. Kemi pasur edhe probleme sepse menjëherë jemi mbyllur në shtëpi, mësimdhënësit dhe nxënësit nuk kanë pasur mundësi të vijnë në shkollë dhe mësimin kemi mundur ta zhvillojmë përmes telefonit apo kompjuterit”, thotë ajo.
Ajo thekson se një numër i nxënësve nuk kanë marrë pjesë në mësimin online, pasi që nuk kanë pasur pajisje teknologjike, derisa thotë se edhe ndërprerja e internetit e ka vështirësuar mbajtjen e mësimit.
“Në mësimin online kemi pasur probleme me internetin, ndonjëherë unë ose nxënësit kanë pasur probleme teknike me internetin. Ndonjëherë nuk ka marrë pjesë ndonjë nxënës. Pas rikthimit në punë të prindërve, disa nxënës nuk kanë pasur mjete komunikimi për mësimin online, pasi që ata kanë përdorur telefonin e prindërve dhe kur ata kanë shkuar në punë kanë marr me vete edhe telefonin, në këtë rast kemi pasur problem”, thotë ajo.
Procesi i mësimit online më problematik ka qenë për fëmijët e ciklit të ulët, veçanërisht për klasën e parë dhe të dytë.
Saranda Ozer tregon vështirësitë që vajza e saj ka pasur gjatë klasës së parë për mësimin e shkronjave përmes ekranit të telefonit.
Ajo thotë se mësimi online ka qenë i vështirë edhe për të si prind, pasi që gjatë gjithë kohës është dashur që të rrijë afër vajzës dhe t’i ndihmojë në kuptimin e detyrave.
“Mësimi online ka qenë njëmend vështirë edhe për vajzën edhe për mua, sidomos shkronjat, numrat, e ka pas shumë të vështirë sepse kur ka vazhduar mësimi kur vinte në shtëpi tregonte qysh ka kaluar, çka kanë bërë…Kur ka filluar me shkronja dhe me numra, si dhe me lexim ajo ka qenë pak më vështirë për të edhe online e ka munduar pak më shumë, por e ka kaluar”, thotë ajo.
Institucionet e Kosovës nuk kanë të dhëna rreth përfshirjes së fëmijëve të komuniteti turk në procesin e mësimit online, të dhëna të tilla nuk ofron as Agjencia e Statistikave të Kosovës./kp

Back to top button