Pantiqit i vazhdohet arresti shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën arrestit shtëpiak edhe për dy mua ish-policit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, që po dyshohet për terrorizëm.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Me datë 08.03.2023 Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së Arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P, ashtu që masa e Arrestit shtëpiak i është vazhduar edhe për 2 (dy) muaj, deri me datë 09.05.2023”, ka thënë Gashi.

Pantiq u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimet se ka sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe të Komisionit Zgjedhor.

Pas arrestimit të tij, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat e lidhin Kosovën me Serbinë.

Këto barrikada që qëndruan për tri javë, u larguan vetëm pas ndryshimit të masës gjyqësore ndaj Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak./21Media

Back to top button