Papa përfundon vizitën në Irak

 

 

Papa Françesku ka përfunduar sot vizitën e tij historike në Irak. Kjo është vizita e parë e Papës në vendin me shumicë myslimane.

Presidenti irakian Barham Salih e ka shoqëruar 84-vjeçarin me tepih të kuq në aeroportin e Bagdadit.

Përgjatë vizitës, Papa ka qenë në katër qytete irakiane, duke përfshirë Mosulin, ish-qendrën e grupit ekstremist Shteti Islamik. Duke iu adresuar organizatës Shteti Islamik, Papa deklaroi se shpresa asnjëherë nuk mund të heshtet nga gjaku i derdhur prej atyre që e shtrembërojnë emrin e zotit në kërkim të shtigjeve të shkatërrimit.

Ai u ka thënë irakianëve se “paqja është më e fuqishme sesa lufta”, dhe se Iraku do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij, përcjell rtv21.tv

Lideri i botës së krishterë ka realizuar një bisedë edhe me klerikun mysliman shiit, Ayatollah Ali al-Sistani. Ai u takua edhe me kryeministrin Mustafa al-Kadhmi, si dhe zyrtarë tjerë.

Vizitën e përfundoi duke përsëritur fjalën “salam”, që në gjuhen arabe do të thotë paqe.

Ekspertët e shëndetit publik kanë thënë para vizitës se shqetësohen që turmat e mëdha të njerëzve mund të ndikojnë në përhapje të koronavirusit, në shtetin që po përballet rëndë me pandeminë.

Papa dhe pjesëtarët e delegacionit të tij janë vaksinuar kundër koronavirusit, por jo edhe shumica e irakianëve.

Iraku po përballet me një tjetër valë të koronavirusit, të nxitur nga varianti i ri i virusit që është raportuar fillimisht në Britani.

Në total 13 mijë e 500 persona kanë vdekur me koronavirus në Irak, derisa numri i të infektuarve arrin në 720 mijë.

Iraku konsiderohet shtet që përballet me menaxhim të dobët dhe korrupsion kronik./21Media

Back to top button