“Paqja ndërshtetërore e ka parakusht paqen shpirtërore të 1643 familjeve të të pagjeturve të Kosovës”

 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve u shpreh se dy dekada pas luftës, të zhdukurit me dhunë mbesin plaga më e madhe dhe më e dhimbshme e shtetit tonë.

Osmani, sipas komunikatë së Kuvendit, u shpreh se janë 1.643 fate jetësore për të cilat institucionet nuk arritën të bëjnë asgjë përgjatë këtyre 21 vjetëve.

“Sot, pesha e fatit të tyre rëndon mbi secilin politikan të Kosovës. Mbi ne bie përgjegjësia e zbardhjes së fatit të secilit, ndërkaq pesha e fajit bie mbi shtetin e Serbisë. Sot kur Kosova zhvillon negociata me këtë shtet që kreu veprime gjenocidale, për të arritur atë që po quhet Marrëveshje Përfundimtare, para nesh shfaqet portreti i secilit të zhdukur. Sot ne nuk e kemi një përgjigje përfundimtare për familjarët e tyre, siç nuk e kemi as argumentin kryesor: si mund të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë teksa nuk e dimë ku i kemi njerëzit tanë, të cilët ajo i mori dhunshëm! “, citohet se u shpreh Osmani.

Sipas kryeparalmentares, paqe nuk do të ketë derisa secili prind nuk e gjenë fëmijën e vet.

“Rrjedhimisht duket e pamundshme dhe anakronike një marrëveshje përfundimtare pa zbardhje të fatit të të zhdukurve dhe pa adresim të fajit ndaj shtetit serb. Paqe nuk do të ketë përderisa secila nënë e baba nuk e gjen fëmijën e vet. Paqja ndërshtetërore e ka parakusht paqen shpirtërore të 1643 familjeve në Kosovë!”, shtoi Osmani më tutje.

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, e cila ka për qëllim të tërheqë vëmendjen për ata njerëz që kanë humbur gjurmët në konflikte apo rrethana të tjera. 30 Gushti është shpallur nga Kombet e Bashkuara si ‘Dita për të nderuar viktimat e zhdukjes së dhunshme’.

Kjo ditë do të shënohet edhe në vendin tonë, ku edhe 1640 persona vazhdojnë të jenë të evidentuar si të zhdukur vetëm nga lufta e fundit./21Media

Back to top button