Paraburgim ndaj personit që prodhoi dhe trafikoi drogë

 

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit prej 40 ditë – në raport me procedurën e ekstradimit, ndaj të pandehurit SH.H., i kërkuar nga autoritet e Sllovenisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale; prodhimi dhe trafikimi i paligjshëm i drogës së ndaluar, substancave të ndaluara në sport dhe e përbërësve paraprak për prodhimin e drogave të ndaluara të kryer nga grupi kriminal i strukturuar, shantazhi në tentativë dhe ushtrimi i dhunës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në seancën dëgjimore, paraprakisht ka konstatuar konform Neni 6 par. 2 të Ligjit mbi Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, se i kërkuari Sh.H., nuk e gëzon statusin e azilit politik në Republikën e Kosovës dhe nuk është shtetas i huaj që gëzon imunitet nga ndjekja penale, dhe pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, i cili dyshim rezulton nga provat të cilat janë bashkangjitur në shkresat e lëndës, andaj janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 21 dhe 22 të Ligjit mbi Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, për caktimin e paraburgimit. Sipas vlerësimit të Gjykatës, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse ekziston rreziku i ikjes apo shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që i pandehuri Sh.H., për një kohë ka qenë i pa arritshëm për organet e ndjekjes së shtetit kërkues, ashtu që i njëjti është kërkuar prej vitit 2017 nga Interpoli sipas kërkesës së republikës së Sllovenisë, si i dyshuar për vepra të rënda penale për të cilat parashihet edhe dënueshmëria e lartë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurit në procedurën penale, dhe në procedurën e ekstradimit, konform Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar./21Media

Back to top button