Paraburgim ndaj të dyshuarve që sulmuan punëtorët e sigurimit

 

Gjykata Themelore në Prizren, Dega në Suharekë, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë, ndaj të pandehurve J.F.M., dhe M.E., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe veprën penale “Sulmi”.

“Të pandehurit J.F.M., dhe M.E., me datë 15 maj, në orët e pasdites tek stacioni i autobusëve në Suharekë, pas një fjalosje paraprake që kishin me shoferin e autobusit të një kompanie transportuese, të njëjtit për të mos e lejuar autobusin të niset, ishin shtrirë në rrugë para autobusit, me ç ’rast kishin ndërhyrë personeli i sigurimit të stacionit për t’i larguar ata, për çka edhe ka ardhur deri të një përleshje, ku të pandehurit i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit – personel i sigurimit, kurse në të njëjtën kohë të pandehurit sulmojnë edhe një të dëmtuar tjetër – punëtor i sigurimit të stacionit duke e sulmuar të njëjtin”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh faktin se edhe vet të pandehurit janë deklaruar se nuk kanë adresë të saktë të vendbanimit dhe vendqëndrimit në Kosovë, nuk kanë dokumente të identifikimit, andaj caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm për të mos penguar fazën hetimore, për të siguruar prezencën e të pandehurve në këtë fazë me qëllim zbardhjen e rastit.

“Gjithashtu me rastin e caktimin të paraburgimit gjyqtari i procedurës ka marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale respektivisht ndjeshmërinë e rastit konkret pasi që të pandehurit në stacionin e autobusëve në Suharekë – në hapësirë publike ku frekuentojnë shumë qytetarë janë përleshur me të dëmtuarit e në këtë mënyrë kanë shkaktuar shqetësim tek qytetarët – të pandehurit me sjelljen e tyre agresive dhe sulmin ndaj personave të dëmtuar të cilët kanë qenë në vend të punës si pasojë e veprime antiligjore, rrezikshmërisë dhe mënyrës së kryerjes së veprave penale, kjo sjellje e të pandehurve e arsyeton dyshimin e bazuar se me qëndrimin e tyre në liri, mund të përsërisin vepra penale të natyrës së njëjtë apo të kryejna ndonjë vepër tjetër penale të natyrës edhe më të rëndë”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.

Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe për sigurimin e pranisë së të pandehurit para institucioneve të drejtësisë./21Media

Back to top button